Si të përballemi sa më lehtë me rrufën

Si të përballemi sa më lehtë me rrufën

Nuk ekziston shkopi magjik i cili do të mundë të na kursejë nga telashet e disa ditëve të rrjedhjes së hundëve, kollës, bronkitit apo infeksioneve të sinuseve, mirëpo me aplikimin e këshillave mbi ushqimin dhe barnat natyrale të përgatitura nga gjyshet tona, mund të zbuten simptomat dhe të shkurtohet zgjatja e ftohjes.

Nuk ekziston bar kundër rrufës, mirëpo simptomat mund të trajtohen me sukses, këshillon Telegrafi.

Rrufa është një infeksion me origjinë virale, ngjitëse e që transmetohet përmes kontaktit fizik ose ajrit. Aty ku gjen një terren pjellor, rrufa bëhet shqetësuese, sidomos në zyra ose shkolla dhe kur klima të detyron t’i mbash mbyllur dritaret.

Rrufa nuk është e rrezikshme, por mund të pasohet me grip, inflamacione të laringut ose sinuse. Rrufa shkaktohet nga mbi 200 lloje virusesh, ndaj është e vështirë të krijohet një vaksinë e vetme për ta luftuar.

Terapitë kundër rrufës deri më sot nuk janë vërtetuar si plotësisht efikase. Antibiotikët nuk mund ta luftojnë virusin, por mund të jenë të nevojshëm kur mjeku dyshon për një infeksion bakterial.

Rrufa kalon vetë, zakonisht pas një jave. Për të lehtësuar simptomat, mund të merren në farmaci spray enkas për rrufën, i cili përdoret për 3-4 ditë. Nuk këshillohet përdorimi i shpeshtë i këtyre spray-ve, pasi shkaktojnë irritim të mukozës.

Me përdorimin e disa ilaçeve në këtë periudhë duhet bërë kujdes, sidomos për fëmijët, diabetikët dhe ata që vuajnë nga hipertensioni dhe nga zemra.

Aspirina nuk u jepet fëmijëve nën moshën 12-vjeçare, pasi i vë ata përballë rrezikut të një sëmundjeje tepër të rrallë, e njohur me emrin sindroma “Reye”. Me fëmijët në moshën deri 3-vjeçare, është mirë të shmangen artikujt me mentol, pasi mund të shkaktojnë probleme me rrugët e frymëmarrjes.

Në mungesë të një ilaçi që kuron plotësisht rrufën, sugjerimet e mamit ose të gjyshes janë të duhurat. Duhet pirë shumë ujë ose çaj, duhen bërë banja me avull dhe raki.

Nga ana tjetër, nuk është vërtetuar se vitamina C mund të ndihmojë në largimin e rrufës, por ajo shërben në parandalimin e saj, sidomos nëse përdoret gjatë periudhave të gjata me temperatura të ulëta. Mjafton një gotë lëng i freskët nga dy kokrra portokalli në ditë, për të marrë dozën e nevojshme me vitaminë C.

Për të minimizuar rrezikun e ngjitjes së rrufës, mjafton larja e shpeshtë e duarve, sidomos pas frekuentimit të vendeve publike. Dezinfektuesit në formë xheli mund të shërbejnë kur koha për të shkuar në tualet është e pakët, por ata nuk e zëvendësojnë dot efikasitetin e kombinimit ujë dhe sapun, proces që duhet të zgjasë 30 sekonda minimumi.

Këshillohet që të përdoret një peshqir i thatë e personal ose letër. Kur jeni në shoqërinë e njerëzve që janë me rrufë, përpiquni të mos prekni fytyrën, hundën, gojën ose sytë. Sidomos nëse keni fëmijë të vegjël në shtëpi, bëni kujdes të mos përdorni të njëjtat pjata ose gota me ta. Dhe sigurisht, mos lini rrotull shami të përdorura letre. /Telegrafi/

TAGS