Si u grabitën 100 pasaportat nga makina e konsullit shqiptar në Janinë

Si u grabitën 100 pasaportat nga makina e konsullit shqiptar në Janinë

Lista e skandaleve në këto dy dekada është shumë e gjatë. Por është fakt që edhe sot vazhdojmë të kemi ngjarje aspak të denja për shërbimin e jashtëm të një shteti që aspiron të hyjë në Europë.

Këtë e ilustron më së miri skandali me humbjen e pasaportave në shkurt të vitit 2019. Lajmi ishte tronditës për opinionin publik, pasi 100 pasaportave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi u grabitën.

Top Story e ka zbërthyer këtë ngjarje të rëndë nëpërmjet dëshmive dhe hetimeve të policisë.

Dërgesat diplomatike duhet të dërgohen nga shteti në shtet me transport të veçantë. Por Ministria e Jashtme shqiptare vazhdon të praktikojë dërgesat e këtyre pakove përmes linjave të autobusave Tiranë-Athinë. Pasaportat ishin futur në çanta, me të cilat zakonisht transportohen rroba, dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë dhe ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Shoferi i autobusit tregon për “Top Story” se çfarë ka ndodhur atë ditë.

“Tek dogana, më thanë se do të bëjnë një kontroll. Normale I thash, nuk ka asnjë lloj problem, ato ishin autorizime me dy lloj gjuhësh, në shqip dhe greqisht. Fola me pronarin e firmës, u lidh me konsullin e Janinës, në atë moment mora pakon siç ishte me pasaportat, vajta në zyrë tek dogana greke. Më thanë që do njoftojmë konsullin e Janinës. U morem vesh me konsullin e Janinës, dhe na thanë që nuk ka asnjë lloj problem, rreth një orë erdhi Konsulli. Pastaj unë i lash pasaportat aty dhe ikëm, i mori konsulli”, tregon shoferi.

Konsulli Pervin Gjikuria i ka marrë pasaportat në makinën e tij dhe është nisur për në Athinë.

Ai ka mbërritur në Kryeqytetin Grek në orët e vona të natës. Ai ka bërë një ndalesë në lagjen Thisio të Athinës, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, në një restorant. Gjatë kësaj kohe përsona të panjohur kanë thyer xhamin anësor të makinës së konsullit, kanë hapur sediljet e pasme dhe kanë depërtuar tek bagazhi i makinës ku ndodhej pako me 100 pasaporta.

Gjendur para një fakti të tillë, konsulli ka njoftuar autoritetet policore vendase, të cilët kanë nisur hetimet. Por deri më sot asgjë nuk është zbardhur.

Ministri në detyrë Gent Cakaj, mori masa disiplinore ndaj ambasadorës shqiptare në Greqi, Adriana Hobdari për këtë skandal, ndërkohë ka shkarkuar nga detyra konsullin e përgjithshëm të Shqipërisë në Janinë, Previn Gjikuria.

Top Channel