Silvana Beu: Shqipëria Tjetër në vitin 0!

Silvana Beu: Shqipëria Tjetër në vitin 0!

(Kjo nuk është për t’iu bashkuar thirrjes së partive politike për votim apo mosvotim, por për ndërgjegjësim dhe kundër klasës politike të majtë e të djathtë).

 

“Nuk ju duket e çuditshme që kokat e politikës flasin kaq shumë për paqen dhe ndërkohë prëgatiten për luftë”? C. S. King

 

Unë refuzoj të luftoj për kokat e politikës!

Unë refuzoj të jem pjesë e kësaj Shqipërie që ngado që hedh sytë shikon dhe ndjen mllef, inat, urrejtje. Çfarë na bëri kaq njerëz të egër? Ku shkoi koha kur e linim derën hapur, tryezën shtruar edhe pse ishim shumë më të varfër se sot? Ku shkoi ndërgjegjia, përgjegjshmëria, qytetaria? Për këtë Shqipëri luftuan të parët tanë? Për Shqipërinë ku është ndarë populli, 30 Qershor dhe 13 Tetor? Sa naivë! Mendojnë se në ato data do zgjedhin vërtet ata.

Unë refuzoj të jem pjesë e kësaj Shqipërie ku qytetarinë e ka zëvendësuar dëshira për të shkatërruar, për të vënë zjarr dhe për të vrarë. Refuzoj kategorikisht të jem pjesë e një vendi ku nuk i përkas!

Sa shpejt ngrihet ky popull, pa u menduar dy herë, nga një thirrje mashtruese e kryetarëve të tyre, por kurrë nuk e pa të arsyeshme të ngrihet për të drejtat e tij. Sa shpejt i vini zjarrin ndërtesave kur ato janë ndërtuar dhe do rindërtohen nga taksat tuaja.

Nuk dua dhe më vjen turp të jem pjesë e kësaj Shqipërie.

Jo nuk jam kaq e acaruar nga pozita apo opozita. Ata po bëjnë shumë mirë punën e tyre. Vlerësimet maksimale nga ana ime. (Ironi)

Unë jam e acaruar me veten, me Ju.

Çfarë duhet më shumë që të mos duroni? Çfarë duhet t’iu bëjnë më tepër që të reagoni? Pse e shisni veten kaq lirë dhe pranoni të përdoreni?

Ne jemi fajtorët e vërtet të kësaj situate. Ne e kemi krijuar këtë situatë. Ne po e mbajmë në këmbë këtë situatë. Pra, s’kemi asnjë të drejtë morale të ankohwmi.

Unë, refuzoj me zë të lartë, të jem shqiptare e kësaj Shqiperie.

Dhe a e dini pse?

Sepse unë dua të jetoj. Sepse unë e di që Shqipëria ndërvite nuk më ka dhënë asgjë, vetëm më ka marë. Dhe sot, nuk u mjaftua me aq, po më merr dashurinë për vendin tim.

Unë refuzoj të jem pjesë e asaj Shqipërie.

Unë refuzoj 30 Qershorin! Unë refuzoj 13 Tetorin!

Refuzoni dhe Ju!

Bashkohuni një herë në jetë kundër kësaj tallje që po ju bëhet!

Bashkohuni të krijojmë Shqipërinë Tjetër nga viti 0.