Alsat 2019-11-19T15:09:50+01:00
Për 30 shtetasit tanë, të cilët gjenden në territoret e Irakut dhe Sirisë, shteti nuk ka një strategji të kthimit të tyre në vendlindje. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha përmes Komiteti Kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftës kundër terrorizmit dhe institucioneve të tjera kanë fuqizuar masat dhe deri në fund të vitit do të hartojnë një program për rikthimin dhe risocializimin e tyre. Këto masa erdhën pas thirrjes së shtetasve tanë të ngujuar në kampet e emigrantëve në Siri. Shtetasit e tjerët që janë jashtë kampeve, dyshohet se kanë qenë të rekrutuar në organizatat e armatosura terroriste deri në mars të këtij viti.
Ju e dini që në Maqedoni udhëhiqen procedurat penale kundër të kthyerve, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat jashtë shtetit tonë. Disa prej tyre vuajnë dënimet në burgje. Një fat i tillë do t’i gjej edhe të kthyerit tjerë, nëse vërtetohet që të njëjtit kanë qenë pjesë e formacioneve të armatosura. Ndërsa, për familjarët e tyre, përkatësisht gratë dhe fëmijët do tu nënshtrohen proceseve të risocializimit dhe të ri integrimit në familjet e tyre dhe në shoqërinë e vendit tonë”-tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Edhe shoqëria civile thotë se shteti ynë nuk ka pasur asnjëherë program të posaçëm të risocializimit për të kthyerit nga lufta e Irakut dhe Sirisë. Ky është reagimi i Shoqatës “Horizon Civitas”, të cilët kanë hulumtuar familjet e kthyera nga vatrat e luftës. Sipas tyre, 80 të kthyerit ndër vite, nuk iu janë nënshtruar kurrë procesit të ri integrimit, por nga institucionet shtetërore janë trajtuar vetëm për çështje të sigurisë. Samet Shabani thotë se prej tyre në burgjet e vendit vuajnë 36 ish-xhihadistë të ISIS-it me dënime nga 3-7 vjet, të cilët janë kthyer pas viti 2015, prej kur është bërë edhe ndryshimi në Kodin Penal për ndjekje të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e huaja.
Institucionet shtetërore parashohin programe 3 mujore të risocializimit për të gjithë të burgosurit që gjenden nëpër burgjet e vendit. Kemi të bëjmë me një program ri integrimi gjeneral që i tangon të gjithë të burgosurit. Sa i përket të burgosurve që kanë të bëjnë me vepra penale të ndërlidhura me pjesëmarrje në luftërat e huaja, aktualisht në Maqedoninë e Veriut nuk ka ndonjë program specifik që parasheh programe të risocializimit për këtë kategori”-theksoi Samet Shabani, Shoqata “Horizon Civitas”.
Të dhënat zyrtare të shërbimeve të inteligjencës thonë se nga fillimi i luftës në Irak dhe Siri prej vendit tonë janë rekrutuar mbi 155 persona. Prej tyre 80 janë kthyer në Maqedoninë e Veriut, 30 të gjallët janë në ato territore, prej të cilëve 4 gra me 7 fëmijët e tyre në kampe, dhe mbi 40 të tjerët janë të evidentuar si të vrarë në frontin e luftës.
Adnan Qaili
Loading…