Sistemi i drejtësisë në Kosovë me Task-forcë dhe trup monitorues për krime lufte

Sistemi i drejtësisë në Kosovë me Task-forcë dhe trup monitorues për krime lufte

Krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë pas takimit koordinues që zhvilluan së bashku u dakorduan për themelimin e Task-forcës dhe Trupit monitorues të Strategjisë së krimeve të luftës, me qëllim që kryesit e krimeve në Kosovë të vihen para drejtësisë.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se fillimi i këtij takimi të krerët të drejtësisë ishte fillimi i implementimit të kësaj strategjie në praktikë dhe koordinimi për hapët e mëtutjeshëm.

Sipas Hysenit, rezultat i këtij takimi është themelimi i dy mekanizmave të rëndësishëm siç është ai i Task-forcës dhe Trupit monitorues të Strategjisë së krimeve të luftës.

“Sot kemi dal me dy propozime konkrete që t’i bëjmë dy mekanizma që i parasheh strategjia. Mekanizmi i parë është krijimi i një Task-force, e cila do ta analizojë çështjen e resurseve për të mbështetur departamentin e krimeve të luftës dhe për të dhënë prioritet lëndëve të rëndësisë që janë në fokus për ndjekjen e kryesve të veprave që kanë ndesh me të drejtën ndërkombëtare, me të drejtën themelore të qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë, etninë. Dhe mekanizmi i dytë që kërkon është një mekanizëm monitorues, i cili do ta monitorojë implementimin praktik të strategjisë dhe efikasitetin e zhvillimit të saj”, tha Hyseni.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nga ky takim kanë dalë me vendime konkrete me qëllim të rritjes së efikasitetit të hetimit të të gjithë atyre që kanë dhënë urdhra dhe kanë bërë vepra penale ndaj qytetarëve të Kosovës.

Lumezi tutje tha se përveç përfaqësuesve të drejtësisë kosovare të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian me të cilët u dakorduan që edhe dikush nga BE të bëjë monitorimin e zgjedhjes së rasteve të luftës.

Ai po ashtu tha se si institucione të drejtësisë do të bëjnë përpjekje për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës për materialet e nevojshme për ndëshkim të kryesve të krimeve në Kosovë.

“Jemi dakorduar që të kemi një task-forcë e cila do të merret edhe me logjistikën dhe me analizimin, edhe me ekspertizën, por edhe me prioritetet e lëndëve të cilat do i trajtojmë gjatë periudhës së ardhshme. I kemi përcaktuar objektivat për trajtimin e disa masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës gjatë periudhës së luftës 98-99’. Jemi koordinuar që të bashkëpunojmë sipas mundësive edhe me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës në të cilin gjenden dëshmi, prova, fakte dhe materiale tjera të nevojshme për ndjekjen penale dhe për ndëshkimin e kryesve të veprave penale”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u shpreh se ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurë Penale japin mundësi që të dënohen kryesit e krimeve në Kosovë edhe në mungesë dhe se dënimi i kriminelëve është e vetmja rrugë për të jetuar së bashku si komunitete në Kosovë.

“Ne kolektivisht mund të solidarizohemi me viktimat, mirëpo kolektivisht nuk mund të vendosim, pra ky është një rast shumë i veçantë, ku po krijojmë mekanizma dhe po marrim përgjegjësitë tona që këta njerëz që kanë kryer këto krime. Pra, të marrin dënimin nga drejtësia, nga institucionet tona dhe t’i japim një epilog. Në fund të fundit, dënimi i kriminelëve është e vetmja rrugë për të jetuar së bashku si komunitete në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Mbështetje për zbatimin e strategjisë së krimeve të luftës ka dhënë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tha se hetimi i krimeve të luftës është kompleks.

Ai u zotua se Policia e Kosovë do jetë në dispozicion për zbulimin dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

“Konsideroj që Policia e Kosovës do të ketë një rol kyç në këto angazhime dhe ne do të angazhohemi përveç për hetimet e krimeve të luftës, edhe personat e zhdukur, mbrojtjen e dëshmitarëve jo vetëm njësia për krimet e luftës që e kemi në kuadër të Policisë së Kosovës, por e tërë Policia do të jetë në dispozicion, në mënyrë që të kemi një avancim në zbulimin dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë kryer krimet e luftës”, tha Qalaj.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës në shkurt të këtij viti ka hartuar dhe miratuar Strategjinë e Krimeve të Luftës./KP/

TAGS