7 Tetor 2018 / 17:04
Ekspertët vlerësojnë se situata e re politike e krijuar pas referendumit për emrin po i lë “nën hije” reformat që vendi duhet t’i zbatojë për anëtarësim në NATO dhe BE. Eksperti i sigurisë, Lubomir Gjurçevski thotë se ngecja me reformat është e pashmangshme nëse do të organizohen zgjedhje, por se zgjedhjet janë të domosdoshme nëse mes pushtetit dhe opozitës nuk arrihet konsensus për ndryshimet kushtetuese.
Nëse kjo situatë pas referendumit, kjo situatë e re politike në shtet shkakton zgjedhje të reja parlamentare fakt është se do të kemi ngecje në një pjesë të reformave, veçanërisht në reformat e drejtësisë që duhet të ndodhin në sistem, reformat e sigurisë, ato penalo-juridike dhe në gjithë administratën shtetërore. Nga ky fakt nuk ka ikje, sepse e dimë se në kohë të zgjedhjeve dhe qeverisë teknike, Kuvendi nuk do të funksionojë, nuk do të sillen ligje, ndërsa pa sjelljen e ligjeve nuk mund të ecet përpara me reformat”- u shpreh Lubomir Gjurçevski, Ekspert i sigurisë.
Profesori universitar, Bekim Kadriu thotë se reformat janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, por ky moment kritik i jep prioritet zbatimit të Marrëveshjes për emrin, në mënyrë që kontesti me Greqinë të merr fund përgjithmonë. Nëse vendi nuk zgjidh këtë kontest dhe si pasojë mbetet jashtë NATOs, atëherë sipas Kadriut vendin mund ta presin skenare të rrezikshme.
Ne flasim momentalisht për çështjen e stabilitetit të shtetit, ne flasim për stabilitetin e rajonit, ne flasim për situata kur shtetet fqinje diskutojnë çështjen e korrigjimit të kufijve. Mos-anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund eventualisht ta fus Maqedoninë në lojëra të këtilla të ngjashme. Për këtë arsye qëllimi primar i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO. Për këtë arsye forcat politike në Maqedoni duhet të gjejnë formë për ta ratifikuar përfundimisht marrëveshjen me Greqinë, që nënkupton ndryshimet kushtetuese”- Bekim Kadriu, profesor universitar.
Për t’u anëtarësuar në NATO vitin e ardhshëm, paralelisht me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës vendi, duhet të zbatojë një sërë reformash si: sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e sigurisë dhe zbulimit. Ndërkohë në rrjedhë është edhe faza e fundit përgatitore për fillim të negociatave me BE-në, respektivisht procesi i verifikimit i njohur si “Skrining”. Skriningu zgjat 1 vjet, ndërsa gjatë kësaj periudhe vendi duhet ta harmonizojë legjislativën me atë të BE-së.
Anesa Salihu