25 Mars 2019 / 19:24
Pas pesë ditësh, Ministria e Jashtme më në fund iu përgjigj pyetjeve të Televisionit Alsat lidhur me parregullsitë që revizori shtetëror i konstatoi në raportin për vitin 2017. Megjithëse kemi dërguar pyetje specifike bazuar në vërejtjet e revizorëve, ministria më në fund dërgoi përgjigje por pa përgjigje konkrete. Ne pyetëm se si dhe ku janë shpenzuar 355 mijë euro të dedikuara për një çështje, ndërsa janë shpenzuar për diçka tjetër pa pëlqimin e Ministrisë së Financave? Ministria e Punëve të Jashtme u përgjigj : “Pagesat janë bërë për nevojat e Përfaqësive diplomatike konsullore në bazë të dokumentacionit të besueshëm të kontabilitetit” . Si sqarim shtesë për ne se si janë shpenzuar këto para, MPJ i referohet edhe vërejtjes që ia ka dërguar revizionit për këto 355 mijë euro. Megjithatë revizioni e ka hedhur poshtë dhe e ka shënuar vetëm si një njoftim.
MPJ nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, nëse ambasadat i kanë kthyer paratë e tepërta në buxhet që kanë mbetur në llogaritë në vitin 2017? Janë rreth 200 mijë euro që është dashur t’i kthejnë. Dhe për këtë çështje Ministria e Punëve të Jashtme i referohet sqarimit që ia kanë bërë revizorëve megjithëse edhe ai nuk është pranuar.
Disa Përfaqësi Diplomatike Konsullore kanë bilance të vogla të mjeteve të pashpenzuara për të cilat duhet të paguajnë shumë më të madhe për provizione bankare sesa shuma e parave të pashpenzuara”- thonë nga MPJ-ja për ESHR.
Por, më 28 shkurt vitin e kaluar shërbimet e kanë informuar ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov se ambasadat nuk kanë kthyer paratë për vitin 2017 dhe se janë të obliguar ta bëjnë këtë në fillim të vitit 2018. A i kanë kthyer në buxhetin e shtetit, nuk ka përgjigje.
Revizioni ka konstatuar edhe atë se MPJ në disa raste nuk e ka respektuar ligjin për furnizime publike. Por, për këtë nga Ministria përgjigjen se që nga viti 2012 ka udhëzim me të cilin parashikohet zbatim i kufizuar i Ligjit për furnizime publike në ambasada. Kështu, ministria konkludon se konstatimi i revizorëve nuk është adekuat, edhe pse revizioni në mënyrë precize ka detektuar se ambasadat nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizime publike me ofertuesit më të lirë dhe të volitshëm. MPJ nuk dha përgjigje konkrete as për konstatimin e revizionit për vitin 2017 se nga 57 ambasada, 21 janë pa ambasadorë. Edhe pse pyetëm nëse kjo çështje është tejkaluar, nga Ministria nuk dhanë ndonjë numër se sa vende vakante janë plotësuar. Ata thanë se procesi është i ndërlikuar sepse kërkon pajtueshmëri edhe nga presidenti i shtetit, por edhe më shumë para.
Bojan Stojanovski
Loading…