Skandali në Tetovë, drejtoresha largoi Arjetën për të pranuar të tjerë

Skandali me përjashtimin e profesoreshës Arieta Veliu nga shkolla e mesme ekonomike në Tetovë thellohet edhe më shumë. Pas publikimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të cilat e detyronin drejtoreshën e shkollës ta rikthente në punë Veliun, në pah dalin edhe detaje të tjera të mënyrës së largimit të saj nga puna. Në dhjetor të vitit 2013, Shkolla Ekonomike e Tetovës shpalli konkurs për 11 vende pune në fushë të ekonomisë. Mes kandidatëve ishte edhe Arieta Veliu, e cila për më shumë se dy vite, në këtë shkollë ishte profesoreshë e ekonomisë. Një muaj pas shpalljes së konkursit, Drejtoresha e Shkollës ekonomike “8 Shtatori, publikoi listën me kandidatët e pranuar, në të cilën nuk gjendej emri i Arietës, edhe pse e njëjta i përmbushte kushtet. Inspektorati i Punës, pas inspektimit të kryer në procedurën e zgjedhjes së kandidatëve, ka konstatuar se 9 nga 11 të pranuarit nuk përmbushnin kushtet për punësim.

“Nga kandidatët e pranuar, gjithsej nëntë nuk i përmbushin kushtet , nuk kanë kaluar provim profesional, ose nuk kanë përgatitje pedagogjike, psikike apo metodologjike, ka konstatuar Inspektorati Shtetëror i Punës”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Përveç Inspektoratit të Punës, shkelje ka konstatuar edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

“Është konstatuar se ka shkelje të Ligjit për Arsim të Mesëm me pranimin e kuadrove arsimorë. Drejtoreshës së shkollës “8 Shtatori”në Tetovë, Ramie Kurtishit, me vendim i është rrëzuar zgjedhja e kuadrove arsimorë në raport me konkursin e shpallur dhe është urdhëruar që edhe një herë të bëj zgjedhjen e kuadrove arsimor nga kandidatët e paraqitur. Nëse drejtori nuk e realizon vendimin e Inspektoratit ose nëse nuk është e kënaqur nga ky lajmërim, kompetent i vetëm për rastin tuaj mbetet Gjykata Themelore”, theksohet në raportin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Për rastin e Arieta Veliut, përkatësisht largimin e saj nga puna dhe pranimin e profesorëve të tjerë është në dijeni edhe zyra e Avokatit të Popullit.
“ Avokati i Popullit deri te drejtoresha e “8 Shtatori” nga Tetova dërgoi një shkresë, sugjerim dhe kërkoi të veprohet menjëherë sipas aktgjykimeve të Gjykatës Themelore- Tetovë dhe Gjykatës Supreme, përkatësisht me ju të lidhet kontratë për themelimin e marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar dhe të u realizohet pagesa për shpenzimet e kryera. Për rrjedhën e mëtutjeshme të veprimit sipas parashtresës do të njoftoheni në mënyrën plotësuese”, deklarojnë nga Avokat i Popullit.

Neni 46 i Ligji për Marrëdhënie Pune parasheh që pas dy vitesh përvojë pune me kontratë në vepër, personit i takon transferim në marrëdhënie pune me vendim. Profesoresha Arieta Veliu para 5 vitesh është larguar nga puna, ndërsa që prej atëherë të gjitha instancat gjyqësore kanë vendosur që ajo duhet të rikthehet në vendin e punës, madje shkolla në disa raste është dënuar për mos-respektimin e vendimit gjyqësor, por drejtoresha refuzon rikthimin e saj. Madje edhe përkundër vendimit final të Gjykatës Supreme drejtoresha ka kërkuar që lënda të përsëritet nga e para.

Besian Leka

Loading…

TAGS