Socialistët rrëzojnë dekretet e Metës për koncesionet e rrugëve, nuk kalon as kandidatura e Petraq Milos

Socialistët rrëzojnë dekretet e Metës për koncesionet e rrugëve, nuk kalon as kandidatura e Petraq Milos

Socialistët kanë rrëzuar këtë të enjte në seancën plenare të gjitha dekretet e Presidentit Meta, ku në veçanti u shqyrtuan dy koncesionet për akset rrugore Milot- Balldren e Orikum- Dukat, dy rrugë të cilat kanë sjellë një sërë hijesh dyshimi.

VOTIMI ne parlament për dy PPP-të e rrugëve:

Rruga Milot- Balldren (Votimi: Kundër 76; Pro 23; 3 Abstenim)

Rruga Orikum-Dukat (Votimi: 74 kundër; 22 pro; 4 abstenim)

Kuvendi me votat e socialistëve në shumicë ka rrëzuar dhe propozimin e Petraq Milos nga ana e Presidentit, i cili solli emrin e tij për të zëvendësuar kreun e KLSH-së Leskaj, të cilit prej kohësh i ka mbaruar mandati në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Më tutje Kuvendi ka vendosur që në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendoset Ervin Mete, ish zv.Ministër i Financave në qeverinë e parë të Edi Ramës

Ligjet e risjella nga Meta përmes dekretit dhe që u rrëzuan nga socialistët janë si më poshtë vijon:

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11225, datë 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.04.2008 “Për rezervat materiale të shtetit”

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11226, datë 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11227, datë 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11235, datë 23.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar””

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11251, datë 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar””

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11254, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)””

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11255, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren””

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11229, datë 17.7.2019 “Për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”