Solskjaer i sfidon lojtarët e tij ta fitojnë titullin e Premierligës

Solskjaer i sfidon lojtarët e tij ta fitojnë titullin e Premierligës

Pasi e ringjalli Manchester Unitedin, norvegjezi Ole Gunnar Solskjaer e fitoi një kontratë trevjeçarë për t’u bërë trajner permanent i “Djajve të kuq”.

Pas shkarkimit të Jose Mourinhos, Ole Gunnar Solskjaer erdhi në klub si trajner i përkohshëm, por shumë shpejt e fitoi detyrën e trajnerit permanent. Që nga tani, ai planifikon ta fitojë titullin e Premierligës sezonin tjetër, transmeton Gazeta Express.

Trajneri norvegjez e ka pranuar se ai do të ishte njeriu më krenar në botë nëse arrin ta fitojë titullin e kampionit të Premierligës me skuadrën e tij, sezonin e ardhshëm. Këtë gjë ai e theksoi në konferencën për shtyp pasi u konfirmua trajner i “Djajve të kuq”.

“Pritshmëritë tona janë që ta ngremë lart titullin e Premierligës përsëri. Në ishim mësuar me këtë gjë dhe e kemi bërë një gjë të tillë shumë shpesh”, u shpreh Solskjaer, i cili e kishte fituar gjashtë herë titullin e Premierligës me Manchester Unitedin, i drejtuar nga Sir Alex Fergusoni.

“Nuk mund të presim edhe shumë vjet të tjera për ta arritur këtë sukses, mirëpo duhet ta marrin çdo gjë hap pas hapi. Asgjë nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”.

Manchester Unitedi tani është vetëm dy pikë larg top katërshes së Premierligës, përkundër që ishte 11 pikë larg një vendi kualifikues për Ligën e Kampionëve në momentin kur Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit.

“Djajtë e kuq” nuk e kanë fituar titullin e Premierligës që nga largimi i ish-trajnerit legjendar, Sir Alex Ferguson, në vitin 2013. Madje, që nga atëherë, klubi anglez ka përfunduar disa herë jashtë top katërshes. /Gazeta Express/

TAGS