Sotiraq Lako: Hiperferritinemia, rastet kur duhet të hiqet gjaku

Sotiraq Lako: Hiperferritinemia, rastet kur duhet  të hiqet gjaku

Nga Dr. Shk. Sotiraq Lako  – Unë shkruaj shpesh për mungesën e hekurit (absolute) e identifikuar me Hipoferritinemia, që në fakt është deficiti më i madh mjekësor dhe problemi mjekësor me i keqmësuar, keqvlerësuar dhe i keqtrajtuar (të gjithë përpiqen, por me dështim pothuaj 100%). Por sot do të shkruaj për të kundërtën, Hiperferritinemia, rritjen e nivelit të ferritinës në gjak. Është e shpeshtë (jo sa deficiti i hekurit), por që është po aq e keqmësuar dhe keqtrajtuar. Për të vlerësuar, e vlerësojnë, kanë frikë të gjithë.





Problematika
Problemi fillon që te termi: ferritina është proteinë brendaqelizore (kryesisht te hepatocitet, qelizat e mëlçisë), që siguron depozitimin e hekurit në një formë jo toksike. Ne analizat e gjakut shkruhet “ferritina”, në fakt duhet shkruar “ferritinemia”; siç e bëjnë dhe me termin glicemia (ne matim glukozën në gjak = glicemia, nuk matim glukozën e depozituar (glikogjenin, glikolipidet).

Treguesit
Ferritinemia është ferritina (sasi shumë e vogël në krahasim me atë që është depo, përfaqëson afërsisht 1/10 e depove të hekurit përkatësisht 600 mg hekur tek femrat dhe 1,200 mg tek meshkujt) që qarkullon në gjak dhe që ne e matim në laborator. Ne nuk matim ferritinën në mëlçi etj., por ferritineminë (ferritinën qarkulluese). Vlera minimale normale për femrat 20 ng/ml, tek meshkujt 40 ng/ml (dy herë më shumë) dhe vlera optimale për femrat rreth 60 ng/ml dhe tek meshkujt rreth 120 ng/ml. Ferritinemia e ulur (< 20 ng/ml tek femrat dhe < 40 ng/ml tek meshkujt) = mungesë absolute e hekurit. Por ferritinemia (jo ferritina) e rritur nuk është vetëm tregues i mbingarkesës absolute të hekurit, ajo është dhe tregues i inflamacionit. Pra jo çdo hiperferritinemia është baras me mbingarkesë me hekur, pra me rrezikun e dëmtimit të organeve nga depozitimi i hekurit (mëlçi, zemër, pankreas, lëkurë). Pacientë të frikësuar nga rritja e ferritinemisë dhe mjekë që u thonë shpejt të bëjnë heqje të gjakut! (dhe kur ka depozitim të vërtetë të hekurit dëmtimet janë graduale). Ferritinemia 417 ng/ml, rekomandohet salaso! Ferritinemia konsiderohet e rritur kur është > 500 ng/ml.

Deri në 1,000 ng/ml, konsiderohet rritje e lehtë e saj. Asnjë ankesë nuk presim nga pacienti. Sapo vlerësohet hiperferritinemia, duhet bërë Saturimi i Transferrinës = raporti Sideremia /TIBC x 100. Nëse ky raport është 50 % ose më shumë tek meshkujt dhe 45 % ose me shumë tek femrat, konsiderohet Hiperferrritinemia me mbingarkesë me hekur (Iron Overload) dhe vetëm në këtë rast dhe kur ferritinemia është > 1,000 ng/ml fillon dhe depozitimi në organe (mëlçi, zëmër, pankreas, lëkurë) dhe dëmtimi gradual i tyre. Vetëm në këto raste përdoren kelantet e hekurit, heqja e gjakut dhe që bëhen në qendra të caktuara nga mjekë të kualifikuar. Këtu mund të ketë vend dieta e varfër me hekur (ushqimi më i pasur me hekur mishi i kuq; praktikisht e pamundur të mos marrësh hekur, të paktën të pengosh thithjen e hekurit – qumësht, kosi, çaji).

Hemokromatoza Hereditare dhe Talasemia Major janë dy sëmundje me thithje të shtuar të hekurit. Por tek Talasemia Major nuk mund të bësh salaso, ka anemi, funksionojnë vetëm kelatorët e hekurit dhe nëse arrihet, të pakësohet thithja e hekurit. Nëse ky raport është 20-50 % tek meshkujt dhe 15-45 % tek femrat, konsiderohet me Hiperferritinemia pa mbingarkesë me hekur. Sado të jetë vlera e ferritinemisë (jo e ferritinës), nuk ka asnjë mundësi të depozitohet në organe. Është me origjinë inflamatore nuk është patologji hematologjike. Vlerësohet dhjamosja e mëlçisë joalkoolike, sigurisht alkoolike dhe vetë përdorimi i alkoolit, rritja e kolesterolit, triglicerideve, obeziteti, sëmundjet reumatizmale, tumorale etj. Mjekohet shkaktari (dislipidemia, sëmundja reumatizmale, obeziteti, hiqet alkooli etj.), por jo hiperferritinemia. Nuk ka asnjë kuptim të mbahet dietë e varfër me hekur. Nëse ky raport është < 20 % tek meshkujt dhe < 15 % tek femrat = Mungesë Absolute e Hekurit, pacienti duhet të marri mjekim me hekur, pavarësisht vlerës së ferritinemisë. Kujdes inflamacioni rrit ferritineminë, por ul sidereminë. Dhe një informacion të fundit, një nga budallalliqet e zakonshme që dëgjojmë; kur merret hekur nga goja, nuk thithet më shumë hekur sa duhet dhe nuk dëmtohet asnjëherë mëlçia. Përjashtim bëjnë vetëm dy sëmundje: Hemokromatoza Hereditare dhe Talasemia Major.

TAGS