5 September 2018 / 17:19
Përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare vizitojnë Shkupin, në prag të referendumit të 30 shtatorit. Sonte vjen Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten kancelari austriak, Sebastian Kurc dhe të shtunën kancelarja gjermane, Angela Merkel. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se mesazhi që përçojnë këto vizita është i qartë: referendumi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Profesori Blerim Reka vlerëson se 3-shja më e fuqishme euro-atlantike do të shprehë mbështetjen për referendumin, si mundësia e fundit për orientimin e vendit drejt NATOs dhe BE-së. Edhe sipas profesorit Nazmi Maliqi vizitat dëshmojnë se vendi dhe i gjithë rajoni është në agjendë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.