Strategjia e KE-së për Ballkanin Perëndimor e prezantuar dje në Strasburg i konfirmoi euro-perspektivat e gjashtë vendeve të rajonit. Mundësi që në vitin 2025 disa nga ato të bëhen anëtare të BE-së, ekziston, por kusht për këtë është që liderët në rajon të ndërmarrin aksione urgjente në kontekst të zbatimit të reformave të qëndrueshme dhe të zgjidhen kontestet bilaterale.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini në konferencën e përbashkët për shtyp me eurokomisarin për zgjerim Johanes Han, në të cilën u prezantua Strategjia, tha se Ballkani Perëndimor gjeografikisht është pjesë e Bashkimit Evropian, ndan histori të njëjtë dhe do të ndajmë ardhmëri të përbashkët në kuadër të Bashkimit Evropian.
“Strategjia jep perspektiva të përbashkëta konkrete për integrimin në BE të secilit nga gjashtë partnerët, në bazë të meritave dhe proceseve të cilët janë të njohur. Është e qartë se nevoja për reforma ekziston për njerëzit që t’i kenë dhe t’i posedojnë të njëjtat të drejta dhe standarde si edhe banorët e BE-së. Liderët dhe njerëzit e Ballkanit bënë përzgjedhje të qartë për anëtarësim në BE, secila me dinamikë dhe kohë të saj, por me qëllim të qartë. Sot ne e bëjmë të njëjtën, u tregojmë se edhe përzgjedhja jonë është e njëjtë dhe perspektiva është e qartë”, tha Mogerini.
Theksoi se viti 2025 nuk është afat përfundimtar, por qëllim dhe perspektivë reale për mbylljen e të gjithë procesit për të gjithë të cilët kanë filluar dhe ata të cilët në një të ardhme të afërt t’i fillojnë negociatat.
“Ta fusim Ballkanin Perëndimor në BE jo në ndonjë të ardhme të largët, por gjenerata jonë. Muajt e ardhshëm do të jenë intensiv dhe ambicioz dhe shpresoj se muajt e ardhshëm do t’i mbajmë në mend si kthesë dhe kyçe për BE-në. Numri i anëtareve nuk është i lidhur për numrin 27 dhe mund të jetë më i madh”, tha Mogerini.
Sipas kryeministrit Zoran Zaev, Strategjia për zgjerim e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është lajm i mirë për ne. Në dokument është konstatuar se Republika e Maqedonisë bëri progres të rëndësishëm në rrugën evropiane, ndërsa KE-ja shpreh gatishmëri që të japë rekomandim për fillim të negociatave për anëtarësim në bazë të kushteve të përmbushura.
Në pajtueshmëri të kësaj Strategjie, sipas Zaevit, Republika e Maqedonisë po lëvizë nëpër rrugën e vërtetë. Edhe një mirënjohje plotësuese me rëndësi të veçantë për qytetarët e Maqedonisë, tha, është edhe qëndrimi i BE-së i shprehur në Strategjinë se çdo shtet mund të avancojë dhe të hyjë në grupin e udhëheqëseve të kësaj rruge në pajtueshmëri të progresit të tyre real.
“Kjo nxitje plotësuese paraqet shpresë të madhe për Republikën e Maqedonisë. Ky është motiv që më shumë të punojmë dhe ta arrijmë grupin e shteteve të cilat tanimë negociojnë, ato janë Serbia dhe Mali i Zi dhe për të cilët ekziston plan i hollësishëm kohor. Për ne, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë kjo paraqet konfirmim për suksesin e përpjekjeve tona të deritanishme në të gjithë sferat.