Alsat 2019-03-31T14:10:21+02:00
Qytetarë të pandërgjegjshëm në mënyrë ilegale kyçen në rrjetet e ujësjellësit në Strugë dhe Ohër dhe në këtë mënyrë vjedhin ujë nga rrjeti i qytetit. Kjo kategori e qytetarëve vështirë zbulohet, edhe pse dëmin që e shkaktojnë është i madh. Dhjetë padi për të cilat zhvillohen procedura para gjykatës kompetente, janë ngritur nga N.P “Proakua” nga Ohri.
Për fat të keq, ka qytetarë që janë lidhur në rrjet në mënyrë ilegale dhe kjo nuk evidentohet. Por, shërbimet për kontroll dhe pagesë me detyrim e bëjnë punën e vet. Çdo ditë zbulojmë një apo dy qytetarë që janë lidhur ilegalisht në sistem. Pasi jemi riorganizuar, humbjet janë ulur për 8%. Jemi duke punuar në projekt për ndryshim të plotë të matësve ekzistues në burimet tona dhe vendosjen e pusetave kontrolluese në qytetin e Ohrit – tha Vlladimir Aleksieski, drejtor i “Proakua” Ohër.
Nga “Proakua” në Strugë thonë se vetëm vitin e shkuar kanë evidentuar 144 kyçje ilegale, prej të cilëve 80 tashmë janë rregulluar, që do të thotë se këto qytetarë tashmë kanë vendosur matës uji dhe kanë filluar t’i paguajnë faturat.
Rreth 60 kyçje mbeten të parregulluara dhe ata krejtësisht i kemi shkyçur nga rrjeti. Nëse ka qytetarë të tjerë, atëherë kemi ekipe që do t’i evidentojnë këto parregullsi. Këto kyçje ilegale janë prej më herët. Kanë shfrytëzuar momentin kur në sistem nuk kanë pasur shtypje të mjaftueshme dhe ilegalisht janë lidhur pa njoftimin tonë – deklaroi Jonçe Dokoski, “Proakua” Strugë.
Dokoski thotë se të kyçurit ilegal keqpërdorin ujin për gjëra të padobishme apo për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore apo oborreve, që ndikon në furnizimin normal me ujë ndaj qytetarëve tjerë. Në rast se kapet ndonjë qytetar i lidhur ilegalisht në rrjet, ndaj tij ngrihet kallëzim kundërvajtës si dhe i njëjti shkyçet nga ujësjellësi. Në terren kanë katër ekipe për detektimin e lidhjeve ilegale, ku si pasojë numri i këtillë ka shënuar rënie. Nga “Proakua” në Ohër thonë se do të tentojnë nga fondet e BE-së të marrin mjete për vendosjen e matësve me lexim me telekomandë, me çka presin që të reduktohen humbjet.
Miki Trajkovski
Loading…