Sulmuesi saudit që të premten e sulmoi një bazë ushtarake në Florida të Shteteve të Bashkuara kishte shikuar video të sulmeve masive një natë para se ta kryente krimin, raportojnë mediet amerikane.
Personi i quajtur Mohammed Alshamrani, i cili ishte duke u trajnuar në bazën “Pensacola”, i vrau tre ushtarakë të rinj para se të vritej nga forcat e sigurisë.
Autoritetet njoftuan se personat e vrarë janë Joshua Kaleb Watson, 23 vjeç, Mohammed Sameh Haitham, 19 vjeç, dhe Cameron Scott Walters, 21 vjeç.
Policia i ka marrë në pyetje disa shtetas sauditë që ishin pjesë e trajnimeve, ndonëse asnjërin prej tyre nuk e ka shpallur person të dyshuar në këtë sulm.
Sulmuesi u kishte treguar të tjerëve video të sulmeve masive gjatë kohës së darkës, vetëm një natë para se ta kryente sulmin.
Një grup vëzhgues i internetit gjithashtu tha se sulmuesi i kishte bërë disa postime kundër Shteteve të Bashkuara në Twitter para sulmit.
Megjithatë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, tha të shtunën se ai nuk do ta cilësonte këtë sulm si rast terrorist deri në këtë pikë të hetimeve, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.