Suso, i sakrifikuari i Milanit për Saint Maximin

Milani duket i bindur të sjellë në verë sulmuesin e Nices, Allan Saint-Maximin, ndërsa edhe të dielën në mbrëmje kishte përfaqësues në “Vellodrome” për të ndjekur nga afër paraqitjen e tij në fushë.

Leonardo dhe kuqezinjtë kanë marrë kontaktet e para që në janar me përfaqësuesit e lojtarit dhe ata të klubit francez, ndërsa marrëveshja pritet të mbyllet me sukses gjatë tregut të transferimeve të verës.

Megjithatë për të mbyllur me sukses këtë operacion, drejtuesit e kuqezinjve duhet të shesin një nga titullarët e sulmit dhe emri i përzgjedhur duket se është ai i spanjollit Suso.

Suso në tentim për të dribluar Quissanga Bastos (Foto: Marco Rosi/Getty Images/Guliger)

Ky i fundit vlerësohet rreth 50 milionë euro dhe do të siguronte një plusvalencë të rëndësishme për tregun e kuqezinjve, të cilët nuk kanë ndërmend të shpenzojnë më shumë se 25 milionë euro për kartonin e Saint-Maximin.

Për spanjollin ka shfaqur interes të fortë Arsenali, që edhe këtë të premte pati disa skautë në Verona, për të ndjekur ndeshjen mes Chievos dhe Milanit, ndërsa në ditët në vijim, pritet të nisin edhe bisedat zyrtare mes klubeve.

Por, ëndrra e tifozëve vazhdon të jetë Federico Chiesa. /SS/

TAGS