“Syska”, delja ilire që ka mbërritur deri në ditët tona

“Syska”, delja ilire që ka mbërritur deri në ditët tona
Tash esht Koha

Ashtu si indianët krenohen me lopën si një krijesë të Perëndisë, shqiptarët ndoshta mund të mburren me delen.

Po. Ekziston një racë në vendin tonë që u ka mbijetuar kohërave dhe ka mbërritur deri në ditët tona. Është “konsevuar” atje thellë në malet e Polisit në Librazhd.

Vendasit e njohin si “Lara e Polisit”.

Më gjerë njihet si “Syska”.

Sipas gojëdhënave të zonës së Polisit kjo dele është aq e lashtë sa nuk mbahet mend dhe ka shoqëruar banorët autoktonë brez pas brezi.

Ka të moshuar që thonë se ajo vjen nga Iliria dhe është autoktone shqiptare, që me rezistencën e saj ka arritur deri sot.

Për specialistët e fushës së blektorisë, “Lara e Polisit” është një racë autoktone që vjen e pastër gjenetikisht nga thellësia e shekujve.

Fshatarët e konsiderojnë si bagëti të bekuar sepse ajo u fal atyre gjithë të mirat, që nga bulmeti i shëndetshëm, leshi, lëkurët dhe mishin.

Varieteti i rrallë për fat i shpëtoi edhe çmendurisë në diktaturë kur u krye tufëzimi i bagëtive, por edhe kryqëzimet me raca të tjera me demek për të rritur prodhimin.

Edhe gjatë viteve të demokracisë nuk iu kushtua vëmendje e veçantë dhe ishin vetë banorët që e ruajtën racën thjeshtë dhe vetëm për faktin se prodhimet e saj ishin unike.

Dy vjet më parë “Lara e Polisit” rrezikoi të zhdukej.

Sipas specialistëve të bujqësisë kishin mbetur vetëm 11o krerë.

Por dikush u kujtua.

Në fakt ishte një iniciativë e specialistëve të drejtorisë së Bujqësisë të cilët ndërmorën një fushatë sensibilizimi për nxitjen e mbarështimit të racës autoktonë.

Dhe rezultati ishte befasues.

Për dy vjet raca u shtua në 486 krerë. Banorët shprehen shumë të kënaqur e ndjehen madje krenar për racën e tyre.

Ferit Alliu është një ndër rritësit e deles autoktone.

“E kemi pasur brez pas brezi këtë lloj dele. është shumë e veçantë pasi na jep shumë qingja dhe e përshtatshme për terrenin tonë të vështirë.

Do të vazhdoj të mbaj dele edhe pse fëmijët nuk janë më si ne që kujdesemi.

Duhet dhe mbështetje nga shteti pasi vetë e kemi të vështirë ti mbajmë”.

Tashmë që po ia shohin më shumë leverdinë, fermerët po nxitojnë të blejnë delen autoktone “Syskë”.

Janë disa familje që kanë nisur mbarështrimin e saj dhe kërkesat vijnë gjithnjë e në rritje.

Po kështu mjaft të kërkuara janë prodhimet e deles.

Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar në qarkun Elbasan, Fatmir Ozuni thotë se numri i fermerëve që po rrisin larën e Polisit është shtuar duke u shtrirë edhe në zonat përreth Polisit.

“Aktualisht janë 6 blegtorë që mbarështojnë rracën e rrallë. Mjaft të tjerë janë të interesuar që ta mbarështrojnë.

Drejtoria e Bujqësisë, nëpërmjet shërbimit veterinar, ndjek të gjitha procedurat për ruajtjen dhe zhvillimin e e kësaj race në zonat ku tradicionalisht ka ekzistuar.

Kjo racë konsiderohet ende e rrezikuar nga zhdukja edhe pse ka pasur politika mbështetëse për shtimin e numrit të krerëve.

Në vijim ne kemi në plan që të mbështesim fermerët me gjithw asistencën e nevojshme e njëkohësisht ti fusim ata në skemat e subvencionimit.

Raca ka vlera shkencore dhe pse jo edhe historike”.

Ozuni shpjegon cilësitë e rralla të deles ilire duke theksuar faktin se është mjaft rezistente ndaj sëmundjeve, gjë që e ka ruajtur dhe sjellë deri sot.

“Lara e Polisit arrin mesatarisht 30-45 kg me 40 deri në 45 kg qumësht në vit.

Ka pjellshmëri shumë të lartë deri në 110%.

Shfrytëzon shumë mirë kullotat e zonës nga ku ka marrë edhe emrin”.

Aktualisht “Lara e Polisit” është e shtrirë në Polis, Librazhd dhe disa zona kufitare pjesë e bashkisë Elbasan.

Kjo pra është raca jonë e deleve e mbarështruar nga të parët tanë Ilirë dhe që kërkon vëmendje të veçantë.

Pse jo, kjo pasuri duhet të mbrohet edhe me ligj.

Tash esht Koha
TAGS