Tahiri i reagon Mustafës: Qeveria Haradinaj ka shumë këshilltarë e zëvendësministra, por e ka edhe guximin për vendimmarrje

Edhe Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë Haradinaj, Besnik Tahiri, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, pasi ky i fundit e ka kritikuar kryeministrin Haradinaj për numrin e madh të këshilltarëve e zëvendësministrave në kabinetin qeveritar.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “është e vërtet që ka më shumë këshilltarë e zëvendësministra, por ka dyfishin e punëve dhe detyrave.

“Ato që qeveritë paraprake nuk kishin as vullnetin e guximin për t’u ballafaquar përkundër që i kishin më shumë se 80 deputetë, u dasht me i bë ne, me vendimet që kthejnë dinjitetin e shtetit dhe hapin perspektivë për vendin”, ka thënë Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

“Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, është e vërtet që ka më shumë këshilltarë e zëvendësministra, por ka dyfishin e punëve dhe detyrave. Ato që qeveritë paraprake nuk kishin as vullnetin e guximin për t’u ballafaquar përkundër që i kishin më shumë se 80 deputetë, u dasht me i bë ne, me vendimet që kthejnë dinjitetin e shtetit dhe hapin perspektivë për vendin.

Po, kjo qeveri ka edhe sfida, greva e ballafaqime, kjo sepse ne kemi marrë çështjet një për një për t’u dhënë zgjidhje. Për dallim nga qeveritë paraprake që konservonin problemet, me frikën e rrëzimit. Nuk ka rast, as vendim që kryeministri Haradinaj ka heshtur për shkak frikës nga debatet dhe diskursi publik. Ai është ballafaquar, ka sqaruar dhe ka prodhuar zgjidhje.

Lidershipi i guximshëm nuk e bazon vendimmarrjen në diskursin që mund të krijohet, ai është aty për të siguruar që vendimet janë interes i vendit dhe jo të politikës ditore. Kjo qeveri, jo vetëm se po forcon shtetësinë, por është në hapat final për të vendosur në korniza funksionimin institucional”, ka shkruar Tahiri.

Kryetari i LDK-së, sot përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar kryeministrin Haradinaj për numrin e madh të këshilltarëve dhe zëvendësministrave, duke thënë se derisa ai [Mustafa] ishte Kryeministër ka pasur 11 këshilltarë (të brendshëm e të jashtëm), zv.kryeministrat nga gjashtë dhe ministrat nga 5. Qeveria ka pasur rreth 40 zëvendësministra.

Lexo po ashtu:

Lexo po ashtu:

Ndaj postimit të Mustafës ka reaguar edhe zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, i cili ka numëruar rezultatet e Qeverisë Haradinaj. /Telegrafi/

TAGS