Takimi Pendarovski – Shtajnmajer, mbështetje për eurointegrimet

Takimi Pendarovski – Shtajnmajer, mbështetje për eurointegrimet

Presidenti Stevo Pendarovski ka marrë konfirmimin nga homologu i tij gjerman Frank Valter Shtajnmajer për mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO. Kjo thuhet në kominikatën e kabinetit të presidentit Pendarovski, pas takimit të dy presidentëve, disa ditë pas vendimit të Këshillit Evropian se vendi do të marrë në tetor një epilog rreth negociatave me BE-në, meqë Bundestagu Gjerman nuk ka arritur të vendosë në rend dite më herët çështjen.

 “Presidenti Shtajnmajet e konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe në NATO. Presidenti Pendarovski shprehu pritshmëri që Maqedonia e Veriut së shpejti të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE dhe për një kohë të shkurtër do të përfundojë ratifkimi i protokollit për anëtarësim nga ana e vendeve anëtare të NATO-s, me të cilën Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotë e Aleancës”, thonë nga Kabineti i presidentit Stevo Pendarovski.

Gjermania, javë më parë, ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Në një prononcim për mediat, Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, përsëri deklaroi se pret anëtarësimin e plotë të vendit në NATO, në muajin dhjetor.

   “Nuk varet nga unë por varet nga 28 parlamentet nacionale që të vendosin se sa shpejtë ata mund ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit. Do të ishte shumë mirë nëse gjithçka do të përfundonte deri në dhjetor, në takimin e radhës të liderëve në Londër por nëse jo, shpresoj që të ndodhë shpejtë pas kësaj. Maqedonia e Veriut është në rrugën për t’u bërë anëtare e re. Maqedonia e Veriut i plotëson standardet e NATO-s”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ndodhet në Hungari, ku Kuvendi Nacional ratifikoi protokollin e anëtarësimit. Ky proces vazhdon në vendet tjera anëtare të NATO-s.

Fatlume Dervishi

Loading…