Taktizimet e partive për të blerë kohë

Platforma shqiptare dhe deklaratat e fundit partiake, sidomos të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së janë bërë me qëllim që të blihet kohë. Që të ndërrohet kjo garniturë qeverisëse do të kalojë kohë. Kështu përfunduan panelistët në debatin e organizuar të OJQ Civil me temë: “Maqedonia pa kokë”.
Analisti politik Ramadan Ramadani cilësoi se Maqedonia është në rrugë për çlirimin e shtetit nga partia.

Në raport me Platformën politike të shqiptarëve, Ramadani kujtoi Platforma vjen si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme të BDI-së.

“Platforma dëshmon se BDI ka dështuar në zbatimin e atyre pikave derisa ishte në qeverisje dhe se është dashur të formohen dy parti tjera, për ta nxitur BDI-në të marrë një hapë të atillë. Nuk mendoj se Platforma është provokim ndaj maqedonasve. Provokim mund të jetë zgjedhja e një të gjykuari për krime lufte në Kuvend”, tha Ramadani.

Publicisti Sasho Ordanovski e quan Platformën dokument taktik.

“Qëllimi është që të ketë përmbajtje për diskutim me qëllim fitimi në kohë, si dhe tendencë e BDI-së për t’i rikthyer disa pozicione të cilat i kishte më parë. Platforma po e kryen misionin që të mjegullojë tema të rëndësishme”, deklaroi ai përcjell Portalb.

Sipas Ordanovskit, duke pasur parasysh se LSDM është element i ri në kampin shqiptar, pikat që janë në platformë janë më të kapshme për LSDM-në.

Malinka Ristevska ka analizuar situatën politike nga prizmi i saj profesional.

“Në Maqedoni nuk ka debat konstruktiv për rrugëtimin euroatlantik. Të gjitha partitë zotohen se bëjnë përpjekje për procesin euroatlantik, por zakonisht kjo mbetet vetëm deklarativisht”, theksoi ajo.

“Ata duan të blejnë kohë, nuk duan të shkojnë në burg. Nuk duhet të presim aq shpejt që të bie kjo garniturë”, tha Ristevska.