Talentët kosovarë në udhëkryq – Zvicra në rënie, Kosova po ‘pushton’ Evropën

Talentët kosovarë në udhëkryq – Zvicra në rënie, Kosova po ‘pushton’ Evropën
11:21 | 8 Shtator 2019

Kombëtarja e Kosovës është tema kryesore në mediet kosovare, por ajo po merr vëmendje edhe nga mediet evropiane.

Një kombëtare që luftoi shumë për të fituar një vend në FIFA dhe UEFA, po i tregon botës së futbollit se ajo është vetëm një ‘stoli’ për futbollin, shkruan lajmi.net.

Shteti serb dhe Kombëtarja e Zvicrës ishin dy kundërshtarët kryesorë për pranimin e Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë, FIFA. Njëra për arsye politike, kurse helvetikët nga frika për humbjen e talentëve.

Emra si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Shani Tarashaj i rrezikoheshin Zvicrës me pranimin e Kosovës, por në marrëveshje të heshtur, u votua pro pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA, për t’i mos i afruar kurrë yjet që pastaj shkruanin histori me Zvicrën, shkruan lajmi.net.

Por, problemi nuk qëndron vetëm tek lojtarët që tashmë ishin bërë. Problemi qëndronte dhe qëndron akoma tek lojtarët në potencial. Emra si Bastien Toma, Toni Domgjoni, Florian Kamberi, Kemal Ademi e Andi Zeqiri janë emrat që janë në udhëkryqin Zvicër – Kosovë. Dilema e madhe e të rinjve që u larguan me dhunë nga Kosova e gjetën perspektivën në Evropë është se cila kombëtare duhet zgjedhur për t’u përfaqësuar?

Zvicra në rënie:

Kombëtarja e Zvicrës vërehet dukshëm që është duke pësuar një rënie në formë dhe shumë shpejtë nuk do të jetë më në mesin e kombëtareve të mira. Rrugëtimi i tyre drejt Euro 2020 nuk po shkon sipas planit. Ata tashmë gjejnë vetën në konkurrencë me Danimarkën dhe Irlandën, për dy vende që dërgojnë në Kampionat Evropian. Barazimi 1:1 me irlandezët tregoi që lufta është serioze, shkruan lajmi.net.

Anash rezultateve, situata nuk duket e mirë as në mesin e lojtarëve. Xherdan Shaqiri refuzon ftesën në kombëtare me arsyetimin se ka fokusin tek Liverpool, por mediet zvicerane ‘gozhdojnë’ gjilanasin duke akuzuar se kërkon shiritin e kapitenit. Një Zvicër pa Shaqirin, dukej ‘sterile’ në fazën ofensive. Pas ndeshjes, Granit Xhaka i bën ftesë publike që të kthehet, nëse qëndron problemi tek kapiteni.

Sigurisht, para vendimit të lojtarëve të rinj si Kamberi, Toma, Domgjoni, Ademi e Zeqiri, duhet të kujtohet edhe rasti i Valon Behramit. Djaloshi nga Mitrovica, i cili barti shiritin e kapitenit tek helvetikët, udhëhoqi mesfushën dhe luajti në Kampionat Botëror e Evropian duke dhënë maksimumin, në fund u trajtua si një lojtar nën mesatare. Valoni u përjashtua nga kombëtarja vetëm me anë të një telefonate. Pa ceremoni. Pa mirënjohje. Me telefon.

Kosova në rritje:

Nga lufta për një pranim në UEFA dhe FIFA, me ëndrrën për një lojë zyrtare, me simbolet e veta, tek ëndrra për kualifikimin në Euro 2020. Kombëtarja e Kosovës është kombëtarja që po rritet me hapat më të shpejtë. Tashmë, Dardanët e Bernard Challandes numërojnë plotë 15 ndeshje pa humbje. Ëndrrës për kualifikimin në Kampionat Evropian po i afrohemi, qysh në tentimin e parë. Kemi kualifikimet, ku mbajmë pozitën e dytë, kemi edhe Ligën e Kombeve, ku kanë mbetur edhe dy kundërshtarë për ne. Lojtarët si Hadërgjonaj e Muslija që u afruan së fundmi, janë jashtëzakonisht të lumtur me mirëpritjen që u kanë bërë shokët e skuadrës, por edhe tifozët e mrekullueshëm, Dardanët, shkruan lajmi.net.

Florian Kamberi (Hibernian), Bastien Toma (Sion), Toni Domgjoni (Zurich), Kemal Ademi (Basel), Andi Zeqiri (Lausanne), kanë dy rrugë përpara: Zvicra në rënie, mosmirënjohëse ndaj Valon Behramit, dhe Kosova në anën tjetër, kombëtarja që po fiton zemrat e gjithë Evropës.

Ka edhe lojtarë si Elvis Rexhbecaj (Wolfsburg), Meritan Shabani (Wolverhampton) e Leon Dajaku (Bayern Munich) që rrezikohen nga Gjermania, e që janë të mirëpritur tek Kosova. /Lajmi.net/

TAGS