25 April 2018 / 19:27
Tenderi i MPB-së me të cilin është blerë “Mercedesi” i blinduar prej 600 mijë eurosh, në specifikimin teknik, ka parashikuar që automjeti që furnizohet të ketë marka teknologjike dhe tregtare që janë në pronësi të kompanisë Mercedes. Kështu pohohet në një pjesë të ekspertizave në rastin “Tanku” që opinioni e dëgjoi në seancën e sotme për këtë rast.
Ish-kryeministri dhe i akuzuari i parë nga PSP-ja, Nikolla Gruevski, nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse tenderi është bërë ashtu. Por, sqaroi se edhe nëse do të ishte ashtu nuk është shkelur ligji.
Nëse është favorizuar vetëm Mercedesi, cilido operator tjetër ekonomik në vend që ka dashur të shesë ndonjë makinë tjetër ka pasur mundësi ligjore që me kërkesë të tij ta përmirësojë këtë, por nuk e ka përmirësuar. Kjo është një, dhe e dyta, nëse Ministria e Brendshme ka dashur ekskluzivisht, vetëm këtë makinë, ka pasur mundësi sipas ligjit, pa shpallur tender, ta furnizojë – deklaroi Nikolla Gruevski, ish-kryeministër.
Gjatë seancës, mbrojtja e Gruevskit tentoi ta problematizojë paanshmërinë e ekspertëve. Njëri prej argumenteve është se drejtues i ndërmarrjes që ka ndërmjetësuar në përpilimin e ekspertizave, ka qenë Dimitar Buzlevski. Ai është ish-funksionar i LSDM-së, por në vitin 2012 ishte përjashtuar nga partia për shkak të konfliktit me kryesinë e atëhershme. Fakti tjetër që u problematizua është ai se njëra prej ekspertizave është e Tale Geramitçioskit. Mbrojtja tentonte që të potencojë faktin se është ish-kuadër i socialdemokratëve, ndërsa PSP-ja pohonte se ai tashmë një kohë të gjatë është i angazhuar në profesionin si profesor universitar dhe se përcaktimi ideologjik është i parëndësishëm për profesionalizmin e ekspertizës.
Përmes dëshmitarëve tjerë, mbrojtja tentoi të dëshmojë se në Maqedoni nuk ka pengesa ligjore për auto-importuesit që të ofrojnë makina në tender dhe për të cilat nuk janë përfaqësues të përgjithshëm, dhe se furnizimi i makinës ka qenë i domosdoshëm.