Alija Bajram është nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore “Vëllezërit Ramiz Hamid” në komunën Shuto Orizarë të Shkupit. Ajo, me shumë nxënës të tjerë janë të rregullt në shkollë mirëpo ka shumë shoqe të saj të cilat për arsye të panjohura nuk janë të rregullta në mësim. Kur ajo kthehet nga shkolla, shoqet e presin në rrugë për të kuptuar mësimet dhe detyrat që i kishin.
Konkretisht në rrugën ku jetoj ka shumë fëmijë, por nuk mund t’ua përmend emrat, shumë prej tyre janë me probleme financiare, nuk i lëshojnë prindërit të vijnë në shkollë, martohen në moshë shumë të re. Më pyesin çfarë kemi mësuar në shkollë, madje edhe qajnë para meje sepse edhe ato dëshirojnë të shkojnë në shkollë, por nuk kanë mundësi – tha Alija Bajram, nxënëse.
Në shkollën fillore “Vëllezërit Ramiz Hamid” mësojnë rreth 2 mijë nxënës, por shumë prej tyre nuk janë të rregullta në mësim. Për këtë arsye udhëheqësia e shkollës ka nisur fushatën e quajtur “Të gjithë në mësim”, për të zbuluar shkaqet e mungesës së nxënësve. Madje, janë shtypur edhe pyetësor anketues të cilat u drejtohen prindërve se sa janë të njoftuar me rregullat e arsimit fillor.
“A e dini që arsimi fillor është i obliguar? Po, është i obliguar. A e dini se vetëm me dy javë mungesë të paarsyeshme, nxënësi mund të përjashtohet nga shkolla? Jo, këtë nuk e kam ditur”.
“Kjo varet nga prindi, duhet ta edukojë dhe ta dërgojë në shkollë. Fëmijët si fëmijë duhet të mësojnë, pastaj të vazhdojnë të mesmen dhe fakultetin, e jo të punojnë ”.
Milka Trimçevska është koordinatore e fushatës. Për mungesën e nxënësve në shkollë thotë se është problem serioz po aq edhe brngosës. Ajo shton se përmes kësaj fushate dëshirojnë të vetëdijesohen prindërit dhe t’i njoftojnë për masat që mund të merren nëse janë bashkëpunëtor në këtë akt.
Çdo prind duhet të bartë përgjegjësi përse nuk e dërgon fëmijën në shkollë ose nuk ndihmon, nuk e nxit dhe nuk e motivon fëmijën e tij që ta ndjek procesin mësimor. Arsyet janë të ndryshme por ne do ti trajtojmë ato të cilat janë si dukuri më e shpeshtë. Prindërit janë ata tek të cilët duhet ta zgjojmë vetëdijen se fëmijët e tyre duhet të përfshihen në arsim, të bëhen aktiv dhe qytetarë të ndershëm të këtij vendi – deklaroi Milka Trimçevska, koordinatore e fushatës.
Mungesa më e madhe e nxënësve vërehet gjatë sezonit dimëror, thotë drejtori i shkollës Alvin Selimovski. Në këtë periudhë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të ftohtit dhe mungesës së ngrohjes shumë familje largohen jashtë vendit, thotë drejtori.
Bëhet fjalë për popullatë të kategorisë së rrezikuar që ballafaqohen me probleme ekonomike e financiare. Shumë herë ndodhë që prindërit bashkë me fëmijët të largohen në shtete të huaja pikërisht në periudhën e dimrit. Shkojnë jashtë vendit, dy, tre ose katër muaj dhe kthehen sërish te ne. Megjithatë, ne si shkollë nuk mund ti ndalojmë fëmijët dhe familjet e tyre të largohen në shtet perëndimore – tha Alvin Selimovski, drejtor i Sh.f “Vëllezërit Ramiz Hamid”.
Fushata “Të gjithë në mësim” është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Komuna Shuto Orizarë. Ndryshe, Ligi për Arsim fillor parasheh ti udhëzoj për këshillim prindërit, fëmijët e të cilëve kanë mbi 10 mungesa të paarsyeshme dhe 100 të arsyeshme. Nëse nuk i përgjigjet thirrjes për këshillim, atëherë procedura kalon për masa në Qendrën për punë sociale dhe Inspektoratin shtetëror të Arsimit.
Melihate Rustemi
Loading…