Stabilizim total i pushtetit lokal ne Presheve


Siç jeni në dijeni, në prag të bisedimeve përfundimtare Kosovë-Sërbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me problemet e shumta në të gjitha sferat e rëndësishme jetësore. Komuna e Preshevës, që nga viti 2016 nuk ka pasur stabilitet politik duke ndërruar kështu tre pushtete brenda tre viteve, ndërkaq kjo ka shkaktuar përçarje të skajshme dhe kacafytje të panevojshme politike.

Në kohën kur duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët në Preshevë për arritjen e synimeve tona për bashkim me Republikën e Kosovës, jam i vetëdijshëm se zgjedhjet e parakohshme si dhe masat e përkohshme do të dëmtojnë rëndë procesin politik në Luginën e Preshevës, prandaj kam arritur në përfundim se me gjitha mundësitë e mia dhe me postin e këshilltarit pranë Kuvendit Komunal Preshevë të parandaloj situatën e bllokuar politike duke I mundësuar pushtetit të tanishëm lokal përfundimin e këtij mandati katër vjeçar.

Në këto kohëra ku gjendemi sot, jam i mendimit se duhet të ndalojmë bllokimin e institucioneve të Komunës së Preshevës pa marrë parasysh preferencat politike të individëve, ndërkaq siç e ceka më parë mandatin e këshilltarit do ta shfrytëzoj si i pavarur, duke e mbështetur programin e APN-së dhe kryetarin Shqiprim Arifi gjerë në përfundimin e këtij mandati për të çbllokuar mbarëvajtjen e seancave të kuvendit komunal si dhe për ti shmangur situatat e rënda politike në Komunën e Preshevës.

Preshevë, 02.02.2019

Pajtim Rexhepi