2 September 2018 / 13:57
Nga Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësive në Dibër shprehen se hapja e një terminali doganor në vendkalimin kufitar Blato është i domosdoshëm për të mos udhëtuar 100 kilometra deri në Strugë. Kjo do të avanconte tregtinë e lirë dhe zhvillimin ekonomik të dy qyteteve të Dibrës dhe Peshkopisë, por edhe të gjithë rajonit.
Disa vite më parë, është bërë një kërkesë te institucionet përkatëse për të hapur një terminal të tillë në Blato, por kërkesa hasi në vesh të shurdhër. Autoritetet lokale kërkojnë që shteti të ndërtojë një terminal doganor në Dibër.
Nga Drejtoria e doganave të Maqedonisë thonë se sipas Vendimit të Qeverisë për kategorizimin e pikave kufitare, vendkalimi kufitar Blato renditet në kategorinë e kalimit kufitar për trafik të udhëtarëve dhe se doganimi i mallrave aktualisht mund të kryhet në kalimin kufitar Qafë Thanë.
Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Doganës njofton se ekzistojnë disa mundësi për përdorimin e procedurave të thjeshtësuara doganore, siç janë – dërguesi i autorizuar dhe doganim lokal për eksport, ku kompanitë eksportuese të produkteve bujqësore mund të kryejnë doganim të produkteve bujqësore në mjediset e tyre 24/7 në vit ose ta kërkojë atë nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar- thonë Drejtoria e Doganave të Maqedonisë.
Megjithatë, biznesmenët e Dibrës thonë se për shkak të kësaj situate, shpenzimet që kishin për transportin e produkteve ishin shumë të mëdha dhe se ato në të ardhmen me siguri do të rriten, nëse kërkesa e tyre për hapjen e një terminali doganor nuk plotësohet.
Miki Trajkovski