Tërmkolli: Taksa nuk prishi veç raportet mes Presidentit dhe Kryeministrit, por zbehu raportet tona me SHBA-në (Video)

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli, nga LDK, ka thënë se është e qartë që raportet e vendit tonë me SHBA-në janë përkeqësuar.

Tërmkolli, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova është në një situatë shumë të veçantë, që nuk ka qenë asnjëherë më parë.

Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë më parë, në historinë tonë 30 vjeçare nuk kemi pasur raporte të tilla me SHBA-në.

“Po themi se taksa ka zbehur raportet mes Presidentit dhe Kryeministrit, por mbi të gjitha taksa ka zbehur raportet tona me SHBA-në”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Ish-ministrja në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se lëshimet që ne i kemi bërë me Serbinë nuk mund të reflektojnë në “shfryrje” ndaj SHBA-së.

“Ne kemi pasur gjithmonë të drejtë për të pasur liri. Por liria dhe pavarësia erdhën vetëm atëherë kur u krijuan disa kushte dhe kur bëmë disa miq”.

Zyrtarja e LDK-së ka thënë se Thaçi e Haradinaj i kanë bërë dëmin e njëjtë Kosovës, njëri duke nxituar të futet në dialog, e tjetri duke u vonuar në heqjen e taksës.

“Si ngutia e Presidentit për të shkuar në bisedime, ashtu edhe vonesa e Kryeministrit për të hequr taksën, i bëjnë dëm Kosovës. Duhet të dimë se njohjen nuk e sjellë taksa. Njohjen e sjellin miqtë e sidomos SHBA”.

Tërmkolli ka thënë se tërheqja e Haradinajt nga politika e jashtme është në kundërshtim me përgjegjësitë që i jep Kushtetuta.

“Kryeministri u tërhoq nga përgjegjësitë e jashtme. Por, këtu nuk është çështje vullneti, ka të bëjë me detyrën kushtetuese”.

Sipas saj, drejtimi i Ekipit Negociator nga Limaj dhe Ahmeti është një turp për Kosovën, pasi sipas saj ata kanë shumë pak mbështetje popullore.

“Ekipi Negociator është turpi i turpit. Atë ekip e përfaqësojnë dy “autsajderë”, ndërsa dy partitë më të mëdha në vend mbesin jashtë tij”, githa ndër të tjera Melihate Tërmkolli./Telegrafi/

TAGS