20 April 2018 / 14:58
Qytetarët e Tetovës protestuan sot për mungesën e transportit publik. Ata iu bënë thirrje autoriteteve lokale që të përmbushin premtimin e dhënë prej kohësh, ndërsa revoltin e tyre e shprehën përmes improvizimit të autobusëve nga letra.
“…dhe në mungesë të transportit publik apo autobusëve – këta të rinj kanë zgjedhur që transportin publik ta zhvillojnë me karroca…”.
Protestuesit porositën se nuk do të heqin dorë nga protestat për aq kohë sa nuk përmbushet kërkesa e tyre.
“Transporti publik është nevojë dhe kërkesë e vjetër e qytetarëve të komunës së Tetovës, e që nuk është adresuar për shumë vite. Është premtuar nëpër fushata elektorale por nuk është realizuar kurrë dhe është një rikujtim për gjithë zyrtarët e komunës së Tetovës se është një obligim i tyre që nuk mund t`i ikin”.
“Qyteti jonë ka shumë mangësi dhe një prej tyre është edhe mungesa e transportit publik dhe siç e shihni të rinjtë e qytetit tonë bashkë me vullnetarët e Lojës, janë organizuar për ta adresuar këtë problem dhe kanë shpikur metodën e vete të transportit”
“Unë ngas biçikletën time kudo që jam, por për tjerët është vështirë, sidomos nëse doni të transportoni diçka dhe nuk ka autobus apo tren është vështirë”.
Protestuesit paralajmëruan protesta edhe për një sërë mangësish të tjera për të cilat edhe pse janë premtuar nga Komuna, nuk janë përmbushur.