Thaçi në hapjen e Samitit të Berlinit: Pajtimi me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën do të jetë i pamundur për aq kohë sa nuk e njohin Kosovën

Thaçi në hapjen e Samitit të Berlinit: Pajtimi me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën do të jetë i pamundur për aq kohë sa nuk e njohin Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e Samitit të Berlinit ka folur për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Thaçi në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se pajtimi me Serbinë dhe Bosnje e HErcegovinën do të jetë i pamundur për aq kohë sa këto dy vende sipas tij nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai ndër të tjera ka thënë se një prej vendimeve të para që BE do të duhej të merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare.

Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme.

Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi./Telegrafi/

TAGS