Thaçi: Nga takimi i Berlinit kemi sinjalet e para për liberalizim të vizave

Thaçi: Nga takimi i Berlinit kemi sinjalet e para për liberalizim të vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Berlini, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka mbajtur një konferencë për media.

Thaçi ka thënë se Kosova në këtë takim ka treguar pozicionin e saj dhe se ka dalë mirë në këtë takim. Ai theksoi se nga ky takim është shtuar nevoja për një bashkëpunim më të mirë ndërfqinjësor.

“Falenderoj kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për organizimin e këtij takimi për të ardhmen e rajonit dhe Kosovës. Duke shprehur falenderim dhe mirënjohje për rolin aktiv dhe tani edhe më mobilizues, dhe angazhues të kancelares Merkel. Vlerësoj se edhe liderët e rajonit që morën pjesë në takim kanë theksuar qartë dëshirën, nevojën dhe domosdoshmërinë, që rajoni i Ballkanit Perëndimor të lëviz më shpejt drejt së ardhmes evropiane.
Kemi konfirmuar zotimin për t’i kryer punët tona dhe zotimet e nevojshme. Nga ky takim shtohet nevoja për një bashkëpunim edhe më të mirë ndërfqnijësor”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, nga ky takim janë dhënë sinjalet e para lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Vlerësoj që Kosova ka dalë mirë në këtë takim. Pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë. Kam kërkuar sqarim nga zonja Merkel dhe presidentin francez, Macron sa i përket domosdoshmërisë për liberalizimin e vizve. Mendoj që do të kemi një reflektim siç kemi sinjalet e para pas mesazheve tona mbrëmë, se do të mund të lëvizet më me shpresë dhe optimizëm në mënyrë që të respektohet kontrata e BE-së me qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi ndër të tjera k theksuar se është diskriminim dhe mashtrim për qytetarët e Kosovës, pritja për liberalizimin e vizave.

“Deri në vitin 2016 ka qenë kriter demarkimi me Malin e Zi, dhe ne e kemi kryer. Qe dy vite e më shumë jemi në pritje të panevojshme. E kam theksuar qartë se është diskriminim, dhe mashtrim për qytetarët e Kosovës kjo pritje. Mesazhet që i kemi dërguar atje, mendoj që do të merren më seriozisht, dhe do të na dhënë mesazhe më praktike që në të ardhmen e afërt të ndodhë liberalizimi i vizave, në të kundërtën do të ishte zhgënjim i madh i qytetarëve të Ksoovës. E dimë që javët dhe muajt e ardhshëm do të ketë zgjedhje në BE, sido që të jetë e drejta jonë është humane, nuk është politike, dhe në këtë drejtim kemi punuar shumë. Nuk po kërkojmë dhuratë, vetëm respektim e të drejtës tonë”, është shprehur ai.

Kujtojmë se mbrëmë është mbajtur takimi i Berlinit me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron, ku ndër çështjet e shumta të vendeve të Ballkanit Perëndimor është diskutuar edhe çështja e Kosovës dhe Serbisë./Telegrafi/

TAGS