Thaçi pas takimit me Wilson: Mungesa e një marrëveshje Kosovë-Serbi mund të ketë pasoja për rajonin

Thaçi pas takimit me Wilson: Mungesa e një marrëveshje Kosovë-Serbi mund të ketë pasoja për rajonin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan.

Sipas një njoftimi, presidenti Thaçi e ka falënderuar zëvendëspresidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë për forcimin e strukturave të sigurisë.

“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Bëhet e ditur se kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan kanë biseduar edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

“Mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antievropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson ka rikonfirmuar angazhimin e Atlantic Council për Kosovën.

Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. /Telegrafi/

TAGS