The New York Times: Policia Shqiptare shkatërron rrjetin e falsifikatorëve të vizave

Finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Rruga e gabuar” nga ana e Policisë së Shtetit i cili ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të strukturuar kriminal, që falsifikonin viza dhe dokumente për trafikim ilegal të njerëzve drejt vendeve të Evropës Perëndimore, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, ka tërhequr vëmendjen e gazetave të huaja.

Prestigjiozja “The New York Times” shkruan se, “Policia shqiptare ka shkatërruar një rrjet të dyshuar të falsifikimit të vizave dhe dokumenteve për trafikun ilegal të njerëzve drejt vendeve të Evropës Perëndimore, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë”.

Policia e Shtetit bëri të ditur përmes një komunikate se 32 persona, ndër to edhe një oficer i policisë së kufirit, u arrestuan, ndërsa katër të tjerë janë ende në kërkim. Policia ka sekuestruar katër punishte me pajisjet për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, me qëllim trafikimin e njerëzve përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Italisë, Greqisë, Francës apo Norvegjisë.

Sipas komunikatës së policisë, emigrantët paguanin 10 mijë sterlina, ose 13 mijë euro për person për të shkuar në Britaninë e Madhe dhe më shumë se 20 mijë euro për të shkuar në SHBA, ose Kanada.

Operacioni i koduar “Rruga e gabuar” pason një operacion tjetër të suksesshëm vitin e kaluar, ku u arrestuan edhe nëntë shtetas të tjerë.

Qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm pa viza në pjesën më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, por u duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kanadasë. /Tema/Telegrafi/

TAGS