Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në një shkollë në lagjen Kalabria në Prishtinë, ku një mësuese është therur me thikë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 10:30, policia ka marrë informatën se në një shkollë në lagjen Kalabria në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes dy personave. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me një rast lëndim trupor ku viktima, A.P femër, 49 vjeç, ka marrë plagë nga arma e ftohtë (thikë) dhe e njëjta është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka shtuar se lidhur me rastin policia ka arrestuar personin e dyshuar B.D femër, 38 vjeç, si dhe është konfiskuar mjeti i cili dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.
Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përpjekje për ta ndriçuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. /Telegrafi/