TIKA mblodhi intelektualët e Ballkanit

TIKA mblodhi intelektualët e Ballkanit

Takimi i Dytë Ballkanik i organizuar në Ankara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Instituti i Mendimit Strategjik (SDE) me pjesëmarrje të shkencëtarëve, akademikëve, teologëve dhe përfaqësuesve të organizatave joqeveritare nga 11 shtete të Ballkanit dhe përfaqësues të mediumeve të huaja, ofroi një platformë të rëndësishme për rigjallërimin e lidhjeve historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Ballkanit, si dhe për ndërveprimin dhe këmbimin e ideve rreth vizionit të së ardhmes.

Prof. Dr. Metin Izeti dhe gazetari Mehmet Kalisi, shpalosën në formë të shkruar për Anadolu Agency (AA) përshtypjet e tyre nga Takimi Ballkanik, i cili specifikoi horizontin intelektual të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Ballkanit.

***

Brenda atmosferës së bukur të muajit të Ramazanit, nën kupolën e Ankarasë, në dy ditët e fundit të muajit maj, fryu një erë për të cilën njeriu ka shumë nevojë. Liderë të opinionit, shkencëtarë, liderë të shoqërisë dhe artistë nga shumë vende të Ballkanit, u ftuan në Ankara nga TIKA, pa shikuar përkatësinë e tyre fetare, gjuhësore dhe racore. Me një mallëngjim që buronte nga një pauzë e gjatë, përgjatë dy ditëve, në mënyrë të detajuar u diskutuan bukuritë që mundësuan frymëmarrje të përbashkët, vlerat, sukseset e arritura dhe problemet.

Ky takim i organizuar nga TIKA, në fakt ishte një miniaturë e aktiviteteve kulturore, shkencore dhe humanitare të gjera të TIKA-s viteve të fundit. Me sukses u përfaq ideja se “të tjerët” dhe ne nuk përbëjmë rrezik për njëri-tjetrin, por, përkundrazi, bashkekzistenca e diversiteteve është pjesë e njerëzores. Në fjalimet e mbajtura në takim në platforma të ndryshme përgjatë dy ditëve, u sugjerua se Ballkani tanimë mund të gjallërohet me një paradigmë të re. Ndërkaq, elementi më i suksesshëm që ka bartur këtë pardigmë në terren është TIKA. Aktivitetet e realizuara në vende të ndryshme të Ballkanit viteve të fundit duke i eliminuar dallimet, kanë dëshmuar se ky institucion është (me gjuhën e Kuranit) institucion “muhsin” (mirëbërës). Ky botëkuptim i cili nuk është i huaj për civilizimin tonë, jetësohet nga ana e TIKA-s. Në këtë mënyrë, TIKA përfaq se të qenët “muhsin” pa shikuar dallimet nuk është vetëm një koncept utopik që gjendet në ligjërime ose libra, por, përkundrazi, është një koncept funskional. Përballë idealizimit të urrejtjes ndaj tjetrit, ajo vendos në plan të parë mundësinë e gjallërimit të unitetit me tjetrin.

Mundësia e bashkekzistencës së individëve me kultura të ndryshme që përballen me njëra-tjetrën, gjë që e dimë teorikisht, njohja e njëri-tjetrit dhe pranimi i dallimeve para se gjithash, shfaqën shenjat e vitalitetit të tyre në takimin e organizuar në Ankara. Së këtejmi, u theksua se vendosja e një komunikimi mes individëve që tejkalon përkatësitë shoqërore dhe kulturore dhe ndërtimi i urave është një nevojë dhe se njeriu i sotit mund t’i realizojë këto.

Duke iu shmangur edhe një botëkuptimi populist, që është sëmundje e botës moderne, TIKA ka formuar edhe bazamentin e një rruge në të cilën njerëzit mund të ecin në paqe duke e njohur dhe dhënë vlerë vetes. Kjo rrugë nuk i përket vetëm një populli ose shoqërie, por është rrugë e nevojshme për gjithë njerëzimin në këtë kaos në të cilin jetojmë. Mendoj se ne duhet ta gjallërojmë tutje ekzistencën e TIKA-s sonë në mënyrë që të ofrohet mundësia për të ecur në këtë rrugë dhe përgëzoj të gjithë punonjësit e saj të cilët na pritën në këtë organizim të bukur.

[Prof. Dr. Metin Izeti është ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe punon në fushën e filozofisë së artit, ndërsa më parë ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare Konservatore të Maqedonisë]

***

Në fund të muajit maj, në kryeqytetin e Republikës së Turqisë, Ankara, TIKA dhe Instituti i Mendimit Strategjik organizuan “Takimin e Dytë Ballkanik” me temë kultura dhe identiteti. Ky takim ishte një mundësi e veçantë që krerë të bashkësive fetare islame të vendeve të ndryshme të Ballkanit, ministra dhe deputetë, profesorë universitarë dhe studiues, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile nga pjesë të ndryshme të shoqërisë dhe figura të shquara të opinionit të jenë në një vend. Takimi u organizua në mënyrë të suksesshme, ndërsa çdo detal ishte i menduar pa mangësi. Vëmendje tërhiqte mikpritja e TIKA-s. Thënë shkurt, u kthyem me të njëjtën përshtypje nga takimi drejt të cilit ishim nisur me ndjenja të mira.

– E kaluara jonë e përbashkët kulturore kontribuon në të ardhmen e Ballkanit

Ky takim u përqendrua në trashëgiminë e përbashkët mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit. Kjo sepse Turqia dhe Ballkani kanë histori të përbashkët shumë të gjatë dhe kjo e kaluar e përbashkët ka qenë tejet efektive në përfaqjen e identitetit dhe kulturave të afërta me njëra-tjetrën. Në kuadër të takimit u organizuan tri seanca shkencore: “Reflektimet themlore në historinë e Ballkanit”, “Vazhdimi i multikulturalizmit në Ballkan” dhe “Identitetet natyrore dhe fiktive në Ballkan”.

Takimi i një numri të madh të studiuesve që veprojnë në fusha të ndryshme dhe njihen në nivel ndërkombëtar ishte tejet emocionues. Gjatë takimit, pjesëmarrësit vunë theksin mbi rolin pozitiv të Perandorisë Osmane gjatë pranisë në Ballkan, ndërsa u shprehën se ajo krijoi një mjedis të sigurisë për të gjithë popujt, pa bërë ndarje mes feve ose kombësive. Paraqitjet në takim ishin maksimalisht cilësore dhe të vlefshme dhe, si të tilla, nxitën edhe përgjigje shumë të dobishme. Përshtypja që fitova në takim është se ai shkroi një histori dyditore me thellësinë dhe gjerësinë e mendimit dhe rezultatin intelektual që nxori.

Pjesëmarrësit në të njëjtën kohë shprehën edhe shqetësimet e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Pjesëmarrësit e nderuar po ashtu nënvizuan edhe rolin konstruktiv të Turqisë, të cilën e shohin si një instrument pa alternativë për dialogun dhe tolerancën dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe problemeve, vend i cili mbështet një agjendë pozitive.

Në ditën e dytë të takimit u parapanë edhe punëtori dhe në këtë mënyrë u synua që pjesëmarrësve t’u ofrohet hapësirë dhe kohë e mjaftueshme për t’i shpalosur mendimet e tyre në lidhje me temat.

– Tri qëllimet e Turqisë në Ballkan

Pa dyshim, një nga përfitimet tona më të rëndësishme në këtë takim ishte fjalimi i zëdhënësit të Presidencës së Republikës së Turqisë, İbrahim Kalın. Të kapluarve nga panika nga ndikimi i Turqisë në Ballkan, Kalın u shpejgoi se “Ç’kërkon Turqia në Ballkan”: “Qëllimi i Turqisë në Ballkan nuk është të zgjerojë ndikimin, por të sigurohet stabiliteti politik, të inkurajohet zhvillimi ekonomik dhe të mbështeten aktivitetet kulturore dhe arsimore”. Zëdhënësi presidencial tha se nuk do ta vlerësojë si kontradiktor faktin që Turqia ndërton marrëdhënie të afërta me Bosnjë dhe Hercegovinën, përdersa nga ana tjetër zhvillon marrëdhëniet me Serbinë. Kalın, i cili tha se Turqia bën përpjekje shumë të rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën e cilësoi si një projekt të rëndësishëm të paqes për stabilitetin në rajon, theksoi se mbështesin anëtarësimin e shteteve të Ballkanit në NATO dhe BE dhe mbaroi fjalimin e tij duke thënë se “Ashtu sikurse një Turqi e fortë është në të mirë të Ballkanit, edhe një Ballkan i lulëzuar është në të mirë të Turqisë dhe botës”.

Edhe unë, duke përfunduar shkrimin tim, dua t’i shpreh falënderime TIKA-s për veprat që ka bërë që Ballkani të jetë një rajon më i sigurt dhe më i zhvilluar.

[Mehmet Kalisi, i cili është arsimuar në teologji dhe gazetari, është kryeredaktor i një portali lajmesh në Kosovë]