Tiranë, protesta e opozitës, tensione para Parlamentit (Video)

Tiranë, protesta e opozitës, tensione para Parlamentit (Video)
Tash esht Koha

Rikthehet tensioni gjatë protestës së opozitës në Shqipëri, e cila nga bulevardi ku nisi përpara sheshit të godinës së Qeverisë, u transferua rreth orës 21.00 përpara godinës së Parlamentit.

Sapo kanë mbërritur aty, nga mbështetësit e opozitës një breshëri koktej Molotovi u lëshua drejt hyrjes qëndrore, e cila u mbulua nga flakët. Policia ndërhyri me pompat e ujit për të shuar zjarrin, dhe më pas me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Në fakt, protesta e mbrëmjes së sotme, e 12-ta në radhë që nga 16 shkurti kur Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e së djathtës u larguan nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre, nisi me tensione që në hapje të saj.

Lexo po ashtu:

Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para. Ato u pasuan nga shishe të shumta Molotov, jo vetëm drejt portës qendrore të Kryeministrisë por dhe drejt godinës përballë të Parlamentit. ​Mësohet se afër 1500 forca të policisë janë angazhuar për manifestimin e sotëm. E gjithë zona rreth godinës së Kryeministrisë është e rrethuar me një gardh metalik sikurse dhe rrugët anësore që të çojnë drejt saj. ​

Një grup manifestuesish arritën të çajnë gardhin e policisë përballë hyrjes kryesore, ndërkohë që dret saj nuk rreshtnin hedhjet e shisheve Molotov. Policia ju drejtua me thirje të njëpasnjëshme që të largohen dhe më pas përdori gazin lotsjellës.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili në ato momento po mbante fjalën e tij, e ndërpreu atë për disa minuta derisa situata u qetësua përkohësisht.

Për një kohë të gjatë, tymueset dhe shishet Molotov vijuan të hidheshin drejt godinës së qeverisë. E njejta panoramë u përsërit më pas dhe në zonën pas saj, ku sërish policia ndërhyri me gazlotsjellës.

Gjendja u qetësua më pas. Përmes një videoprojektori, opozita mbuloi fasadën e Kryeministrisë me ato që janë parrullat e saj kryesore, “Rama ik”, Qeveri e Krimit” e të tjera slogane kundër ekzekutivit të drejtuar nga Edi Rama, deri kur protestuesit u ftuan nga drejtuesit e opozitës që t’I drejtoheshin selisë së Parlamentit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi përmes një statusi në Twitter, pak pasi tensioni në shesh erdhu duke u rritur. “Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!”, shkruan Lleshaj.

​Për situatën e krijuar ndërhyri dhe presidenti Ilir Meta. “Jam duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, shkruan kreu i Shtetit.

Ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi më vonë në Twitter. “Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”,ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën,po Shqipërisë i bën veç dëm!”, shruajti kryeministri.

Opozita kërkon dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre. Edhe sonte gjatë fjalimit të tij zoti Basha theksoi se “nuk do të ketë zgjedhje me krimin, dhe me Edi Ramën. Zgjedhje më 30 Qershor nuk do të ketë”, theksoi Basha duke shtuar se bëhet fjalë për “një betejë për jetë a vdekje”.

Nga ana e saj shumica ka përsëritur se “zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre”, ripërsëriti pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama. /VoA/

Tash esht Koha
TAGS