“Tironsit janë të butë”, Agustin Kola: Po kujt t’ia hapësh dyert…. Atyre që kanë bërë lëmsh Tiranën, kryeqytetin.

Agustin Kola është i prerë. Te Tirana duhet revolucion. Ish-sulmuesi i bardhebluve dhe një nga ata që ka bërë historinë te skuadra bardheblu, duket se ka gjetur fajtorët.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, figura e Tiranës thotë se Ahmataj duhet të ishte larguar që javën e shkuar, ndërkohë që ka një këshillë për presidentin Refik Halili. Agustin Kola, kohë më parë për “Panorama Sport”, tha se priste nga Tirana gjëra të mëdha, por që tani kjo dëshirë është venitur. Duke marrë në konsideratë fjalët e merkatos dhe afrimet, Kola thotë se Tirana do të mbijetojë në Superiore, por vetëm kaq, edhe pse dëshira është titulli kampion, që me sa kuptohet është i pamundur për bardheblutë.

Si e patë takimin e djeshëm të Tiranës? 

Çfarë të të them. Po e nis nga diçka që e kam thënë 1 milion herë. Refik Halili po hedh te Tirana paratë e tij, por po gabon. Është treguar dhe po tregohet shumë i butë, që nuk kërkon llogari për atë që bën skuadra. Aty duhet të shkunden të gjithë. Të më falë ai që preket, por nuk e kam me askënd në veçanti. Kur ne që kena le e rrit ia fusim presidentit, vaj hallit të tjerët.

Nuk e kam për të ardhurit, sepse me orgjinë unë jam nga Dukagjini, por kam lindur në Tiranë. Presidenti duhet të bëjë qilizmë, që nga bari i fushës e deri te trajnerët. Si është puna e këtyre trajnerëve, që dalin e thonë do të fitojmë me Kukësin, me atë e me këtë. Nuk mund të dalësh të fitosh me fjalë. Nuk është mësuar Tirona të ruajë rezultatin, por të sulmojë. Nuk është mësuar Tirana të qëndrojë në mbrojtje. Nëse ti e sheh që nuk po ecën, lër punën dhe thuaj hajt mirupafshim se nuk e bëj dot.

E patë ndeshjen me Kukësin. Si mund të dorëzohet një skuadër ashtu siç bëri Tirana? 

E pashë deri te 1-0. Mendova se do të fitonin, ose nuk do të shkërmoqeshin ashtu. Shkova më pas në stërvitje, kur më mori një tifoz nga Gjirokastra. Një mik i mirë që është invalid, më tha: “Po e sheh ndeshjen?” I thashë: “Po fitojmë”. “Ç’po fitojmë, Kukësi e ka përmbysur rezultatin, – më tha. – Këta po turpërohen”. U çmenda.

Situata është shumë kaotike në një skuadër që u ndërtua për titullin. Çfarë ndodh tani me Tiranën? 

E vërteta është e vështirë për t’u thënë, por Halili u beson shumë njerëzve. Kjo është e vërteta. Ai pranon lloj-lloj justifikimesh.

Bënë mirë që e kthyen Ahmatajn në ekip, pasi ai dha dorëheqjen publikisht në televizor? 

Nuk di ta them, rezultatet thonë jo. Një gjë do të them. Trajneri që del e flet dhe thotë që jap dorëheqjen dhe lëshon edhe fjalë të tjera, nuk tërhiqet. Tani dha dorëheqjen dhe më pas e tërheq. Unë po dhashë dorëheqjen, iki dhe nuk kthehem më. Tirana është botë tjetër.

Ridi është i butë, si tironsit. Hapin dyert për të të respektuar. Po kujt t’ia hapësh dyert…. Atyre që kanë bërë lëmsh Tiranën, kryeqytetin. Gjyshi im kur erdhi në 1927-ën nuk u shiste mend tironsave, por për të jetuar, duke respektuar të gjithë. Edhe unë kur shkova në Greqi doja të punoja, luaja dhe jo t’u shisja p..dhë grekëve, sepse kishte ndryshime të mëdha. Këta bëjnë ndryshe. E këshilloj Halilin që të rrallojë nga bari i fushës deri tek i fundit, sepse këta e kanë shkelur atë bar.

Bedri Omuri thotë që Tirana është për mbijetesë, ndërsa Bledi Nallbani thotë është për titull. Ju si mendoni? 

Më fal, më fal. Të gjithë duam që Tirana të shpallet kampione. E garantoj që nuk bie nga kategoria. Këtë ta jap me shtatë milionë firma, por t’i lëmë ato që thotë Tata e të tjerët. Titull nuk ka edhe pse e duam, sepse ti më jep miell misri dhe kërkon bukë gruri. Në këtë moment te Tirana, drejtuesit kanë dhënë miell gruri dhe ata që gatuajnë nxjerrin bukë misri. Nuk e di si dalin e flasin, sepse po e nxori robi fjalën nga goja, duhet t’i përgjigjet ose të zhduket.

Presidenti ka faj? 

Nuk ka faj, sepse ne të Tiranës ia kemi fut. Të gjithë bashkë.

Përgjegjësia e kujt është? E lojtarëve? 

Çfarë e lojtarëve. E stafit. Nga i pari deri tek i fundit. Atij i bie përgjegjësia. Kush komandon në shtëpinë time?

Si mund të zgjidhet kjo çështje? Situata po kthehet dramatike te Tirana? 

Zgjidhet vetëm me një mundësi. Të bëhet Halili i egër. Të mos besojë dhe mos tolerojë më. Po nuk u bë i egër, ai njeri nuk ka gjë në vijë. Ia kam thënë. Nuk duhet të luftojë federatën apo të tjerët. Duhet të mbrojë investimin e tij nga fillimi deri në fund. Halili duhet të jetë më politikan dhe të mbrojë investimin e tij, sepse janë paratë e tij dhe jo të Agustinit. Këtu ti u jep gishtin, të ngrenë nga karrigia. Atij që i bën të mira pa interes është mosmirënjohësi më i madh. Të nxjerr thikën dhe ta vë në fyt. Nuk kam asnjë interes te Tirana, por gjithçka e kam me këmbët e mia. Nuk kam bërë asgjë me fjalë./panorama

Burimi: https://www.balkanweb.com/