15 Mars 2019 / 14:02
Në seancën gjyqësore për rastin “Titanik3” në të cilën akuzohen funksionarët e BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri gjatë prezantimit të dëshmive u publikua biseda e përgjuar e kreut të PDSH-së Menduh Thaçit dhe ish anëtarit të KSHZ-së Bedredin Ibrahimit. Mbrojtja e të akuzuarve reagoi ndaj publikimit të bisedës duke shtuar se asnjëri nga protagonistët e bisedës së përgjuar telefonike nuk janë ftuar si dëshmitarë në këtë lëndë dhe kundër tyre është zhvilluar tani më një proces tjetër gjyqësor, i quajtur “Titanik 2”.
Akuzat e Prokurorisë Speciale nuk mund të mbështeten në këtë përgjim, për shkak se në bisedën telefonike të zhvilluar ndërmjet Thaçit dhe Ibrahimit nuk përmenden askund të akuzuarit Alimi dhe Guri, por vetëm Komuna e Çairit dhe ajo e Strumicës – tha Mefail Arsllani, avokat.
Në seancën e sotme u prezantuan edhe dëshmitë nga shkatërrimi i procesverbaleve të 13 vendvotimeve në Çair, për çka edhe akuzohen dy funksionarët e BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Për këtë rast, në seancën e ardhshme që do të mbahet më 17 prill pritet të dëshmojnë 15 dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe Resmije Bislimovska, mungesa e së cilës çoi në anulimin e disa seancave.
Adnan Qahili
Loading…