Alsat 2020-04-02T16:15:58+02:00
Dënimet me burg të shqiptuara, ekzekutimi i tyre i pasigurt. Zyrtarëve aktualë të BDI-së, Ejup Alimi dhe Ismet Guri, të cilët u dënuan me nga 3.5 vjet burg, u janë marrë pasaportat e tyre, por mbeten të lirë deri në vendimin e plotfuqishëm të aktgjykimit. Ish-kryetari i Manastirit Vladimir Talevski, i cili u dënua me tetë vjet burg, është nën arrest shtëpiak me kërkesë të prokurorit, që kërkoi një masë të tillë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe rrezikut të përkeqësimit të shëndetit të të dënuarve në burg. Sa do të zgjasë periudha deri në vendimin e plotfuqishëm, tani për tani nuk mund të parashikohet. Avokatët tashmë kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin. Alimi është gjithashtu deputet, dhe rregullorja e Kuvendit, parashikon mundësinë e marrjes së mandatit të deputetit, nëse ai dënohet me së paku pesë vjet burg, por edhe nëse kryen vepër penale, që e bën atë të padenjë për funksionin.
Rregullorja e Kuvendit neni 59:
“Paragrafi 1: Për një deputet të Parlamentit të dënuar për një vepër penale ose VEPËR tjetër të dënueshme, që e bën atë të padenjë për të kryer funksionin e një deputeti, gjykata e cila e ka shqiptuar dënimin e njofton Kryetarin e Kuvendit. Kryetari menjëherë e dërgon njoftimin te Komisioni për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit”
Sipas informacioneve të Alsat, Gjykata nuk dërgoi njoftim tek Xhaferi, se deputeti është dënuar, gjë që do të hapte mundësinë për revokimin e imunitetin. Në rastin konkret, Gjykata nuk e ka bërë këtë sepse Kuvendi është shpërbërë. Duke pasur parasysh qëndrimin e Xhaferit, që Kuvend i shpërbërë nuk mund të mblidhet përsëri, është e sigurt që Alimit nuk do ti hiqet mandati. Kjo do të thotë që Alimi do të marrë pagë deputeti, deri sa të zgjidhet parlamenti i ri. Ai nuk është në listën e kandidatëve të BDI-së për deputetë. Alimi dhe Guri u dënuan për ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve për kryetar komune, në favor të partisë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013 në Çair.
Igor Stefanovski
Loading…