To be or not to be – dilemë hamletiane në pandemi

To be or not to be – dilemë hamletiane në pandemi

(Alarmi botëror – 11 Shtatori i dytë)

Shkruan: Muxhahid Ismaili

A do të kishim besuar ndonjëherë që bota përtej-teknologjike dhe shekulli XXI do ta izolonte gjithë njerëzimin përnjëherë? Papritmas, pa ndonjë plan dhe ndonjë strategji, për një moment gjithë njerëzimi u mbyll në karantinë, duke pritur një të ardhme të paidentifikuar. Përhapja e paimagjinueshme e pandemisë Covid 19 – Coronavirus, tashmë ka marr përmasa globale dhe ajo po shihet si trajektorja e vetme e fatit të mbarë njerëzimit në shekullin e teknologjisë. Pa asnjë hamendje dhe dilemë, Covid 19 mund të cilësohet si alarmi më i rrezikshëm botëror ose si 11 Shtatori i dytë që, në përmasa globale, edhe njëherë do ta dizajnojë dhe determinojë fatin e njerëzimit në këtë fatkeqësi post-globale.
Nëse me 11 Shtatorin e 2001-shit bota u dizajnua mbi konceptet islamofobike dhe ashtu vazhdoi e po vazhdon të funksionojë, tash – me përhapjen e kësaj pandemie – mund të themi se njerëzimi edhe një herë po e ridizajnon fatin e tij në fatkeqësi. Çuditërisht, nëse atëbotë dizajnimi u bë mbi islamofobinë dhe fuqinë propagandistike të medieve, tash po e njëjta botë po ridizajnohet në mënyrë tjetërfare pa e ditur askush mënyrën e saj. Mendoj se përhapja e pandemisë, po e dizajnon botën në fatkeqësi, pra me përhapjen e kësaj sëmundje pandemike po krijohet rendi i ri botëror – një rend i (pa)imagjinar, i ndërtuar mbi frikë, panik dhe pa(ardhmëri) të imagjinatave përtej-njerëzore, pa asnjë haber dhe nishane se do të bëhet më mirë seç ka qenë më herët. Sulmi, përveç që është biologjik, ai në vete bart edhe pre-sekuenca të sulmeve përtej-etnike, religjioze, ekonomike, shoqërore, sociale dhe ideologjike.
Bazuar në këto premisa të lartpërmendura, me ribërjen e rendit të ri botëror, para njerëzimit hapen dy shtylla kryesore, që pas kësaj “pandemie” do të jetojnë vazhdimisht me ne dhe për njerëzimin: de-shoqërimi, izolimi ose a-socialiteti dhe digjitalizimi shoqëror.

a.) De-shoqërimi – asocialiteti – duke pritur se teknologjia do të na hapë me botën, do të jemi më të avancuar, më të informuar, më të mprehtë në informacione, më të shpejtë e më të shkathtë me teknologjinë, ne përnjëherë u vetizoluam. Ky vetizolim i yni në vete mbartë frikën, panikun dhe presionin psikologjik e shoqëror.

Nëse me të vërtetë ne do të jetojmë një jetë kaq të izoluar, të mbyllur, duke pritur se çfarë do të ndodhë me fatin tonë dhe fatin e gjithë njerëzimit, kjo situatë e panikut të pakontrolluar do të na shpie drejt asocialitetit tonë në shoqëri – një moment që domosdoshmërisht do të na sjellë para një akti të kryer paradoksal – në një teknologji të avancuar me rrjetëzim enorm teknologjik ne do të izolohemi në vetvete. Ky është realiteti që po e jetojmë, edhe pse ndoshta nuk dëshirojmë të jetojmë dhe të jemi kështu – të izoluar dhe në pritje të së ardhmes. Madje, vetizolimi në karatinë ndoshta po na kthen në gjenezën tonë, pra në familje. Mbi shtypjen psikologjike të frikës, panikut dhe streseve shoqëroro-teknologjike, ne për një moment po i harrojmë të gjitha, duke u kthyer në gjendje për të menduar vetëm për veten tonë dhe “karantinën” tonë familjare. Kjo gjendje na lë të kuptojmë edhe një fakt tjetër religjioz – ne nuk mund ta dimë atë që vetëm Zoti e di.

b.) Digjitalizimi shoqëror – në situatën pandemike të krijuar në botë, ne gjithashtu do të përjetojmë edhe digjitalizimin shoqëror. Në këtë digjitalizim shoqëror, përveç që do të jemi të izoluar dhe të mbyllur në vete, ne gjithashtu – sipas të gjitha parametrave dhe parashikimeve globale – do të tkurremi në vetëdigjitalizim botëror, ku gjithçka do të jetë “pandemike” dhe ne, nëpërmjet saj, do ta ndërtojmë fatin tonë. Digjitalizimi shoqëror do të thotë shkëputje nga realiteti dogmatik i shoqërive, etnive, kulturave e ideologjive në mbarë botën. Nëpërmjet këtij realiteti shoqëror, që ndoshta edhe do të ndodhë në një kohë të pacaktuar, ne do të arrijmë që përsëri të vetizolohemi në unin tonë, pra mbi këtë digjitalizim do të ndërtohet e ardhmja jonë arsimore, politike, shoqërore, ekonomike dhe faktike. Digjitalizimi në vete do t’i mbyllë realitetet shoqërore, shkollat e institucionet publike, me ç’rast ndërtimet dhe infrastruktura botërore do ta ndërtojë realitetin e ri të quajtur “e-digjitalizim”, ku gjithçka që na rrethon do ta mekanizojë jetën tonë, ndërsa ne në vend të teknologjisë së avancuar, edhe njëherë do të vetizolohemi, madje edhe mësimet tona do t’i studiojmë e mësojmë nëpërmjet e-magjikes botërore. Me këtë rast, kjo e-magjike do në na shpie drejt tkurrjes sonë tradicionale, ku ne bashkë me vetizolimin dhe asocialitetin tonë do të mekanizohemi në qenie robotike. Të vetmen gjë që nuk do ta mund ta ngërthejë tekno-transicioni botëror është natyra, dashuria dhe shpirti njerëzor.

Në këtë situatë pandemike, të tkurrur dhe të pashpresë, ne – bashkë me asocialitetin tonë – do të përjetojmë edhe digjitalizimin shoqëror. Kjo mund të duket paksa paradoksale, në një situatë asociale: si ka mundësi që ne ta jetojmë edhe digjitalizimin shoqëror? Fatkeqësisht, realiteti që mbizotëron është ky, madje në situatë paradoksale edhe ardhmëria jonë shihet të jetë paradoksale.

Përveç asocialitetit dhe digjitalizimit shoqëror, ne gjithashtu po përjetojmë edhe ndryshime rrënjësore në aspektet shoqëroro-politike të botës. Bashkë me përhapjen e virusit pandemik Covid 19, janë dridhur edhe themelet politiko-shoqëroro-ekonomike të botës dhe kjo situatë, siç shihet, do të sjell ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. Bota, me (pa)dëshirën e saj, po i transformon rrënjësisht, nga baza, paradigmat politiko-ekonomike të saj. Kjo furtunë dhe mjegullnajë po e kërkon atë që thuhej tashmë një kohë të gjatë në arenën ndërkombëtare – një rend të ri botëror. Siç duket, ky rend i ri po vjen si furtunë e fuqishme globale, ku përfundojnë gjitha luftërat etnike-politike-religjioze dhe tejoqanike, një rend ku edhe njëherë po ia dëshmon Samuel P. Hungtintonit “se nuk ka përplasje qytetërimesh” dhe se historia po rishkruhet nga fillimi. Kjo gjendje po e dëshmon faktin se gjitha qytetërimet, nacionalitet, etnitë, shtetet e super-fuqitë, janë të barabartë me njëra-tjetrën, pa dallim etnie, religjioni e politike. Sot të gjithë së bashku po ballafaqohemi me fenomenin akoma të paidentifikuar mirëfilli – një virus që e ka kapluar gjithë njerëzimin. Kjo gjendje, gjithashtu, po dëshmon se ideologjitë, bashkë me sistemet ekonomike, nuk janë superlative dhe se gjithçka nuk sillet vetëm brenda tyre.

Në këtë gjendje kaotike, e vetmja forcë që po mund t’i bëjë ballë virusit është fuqia mediatike – një fuqi përmes së cilës ne mund të shohim diçka nga gjithë kjo paqartësi, pra një fuqi e zëshme, që diçka po na informon. Jorastësisht media në demokraci merr epitetin “fuqia e pushtetit të 4-t” (media as a 4th power in democracy). Botë e çuditshme – një pandemi globale po i rrëzon përtokë gjithë ato nam ideologji, sisteme politike, ekonomike dhe gjithë ato pushtete. Sipas kësaj logjike, i bie të konstatojmë se bota është e barabartë për të gjithë – ndërsa gjithë ne jemi të barabartë tek Zoti, bashkë me shkencën dhe njeriun. Një fat i përbashkët i njerëzimit në situatë të fatkeqësisë globale.
Tashmë nuk ka asnjë dilemë se bota është në luftën e 3-të të saj botërore, një luftë që në shkencat politike quhet edhe si “proxy-war”, ndërsa ne jemi në luftë me diçka, por shteti/shtetet kryesore nuk janë të involvuara direkt në këtë luftë. Njerëzimi, lirisht, mund të konstatojë se është në një luftë globale, por nuk arrin ta identifikojë se nga vjen sulmi ose kush po atakon drejt saj. E vetmja gjë që dimë është se ne po ballafaqohemi me “virusin” e paidentifikuar.

Me të vërtet çfarë po ndodh me botën? Askush nuk e di. Kjo është sikur meseleja “u ngjitëm në një alamet, po shkojmë në kijamet”. Një ilustrim tepër i mirë për realitetin botëror – ne po ecim në tokë duke mos e ditur se kah po shkojmë e si po shkojmë.

Pra, edhe “Qyteti i virtytshëm” i Farabiut, edhe “Imagjinata shoqërore” e Ibrahim Kallënit, tani po përjetojnë gërshetimet e tyre pandemike në “dilemën hamletiane” të Shekspirit nën sintagmën “To be or not to be”, që në shqip d.t.th. – “të rrosh a të mos rrosh?!”.

O Zot, na fal e na mëshiro. Ne nuk po dimë kah po shkojmë e çfarë do të bëjmë. Nëse gabuam, përsëri na fal! Dëshira jonë e vetme është: “Fatin e njerëzimit mos e ndërto mbi fatkeqësi të paidentifikar”.