Todt: Garën e Gjermanisë e shikova bashkë me Schumacher

Todt: Garën e Gjermanisë e shikova bashkë me Schumacher
23:30 | 31 Korrik 2019

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit Jean Todt deklaron se ka ndjekur garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Formula 1 bashkë me 7 herë kampionin e botës Micheal Schumacher.

Që pas aksidentit të rëndë të 29 dhjetorit në vitin 2013 lajmet për pilotin legjendar të Formulës 1 kanë qenë kontradiktore, por mbi të gjitha buletini shëndetësor i pilotit gjerman vazhdon të mbetet tepër i rezervuar, në respekt të emrit dhe gjithçkaje ka arritur në karrierë, deri në atë pikë sa për t’u konsideruar me të drejtë si edhe njëri prej pilotëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Familja dhe miqtë e 50-vjeçarit nga Westfalia kanë ruajtur me rreptësi dhe në sekret të plotë situatën dhe gjendjen në të cilën ndodhet, pas traumave të rënda që “Schumi” pësoi në pistën e skive pranë Meribelit, në Alpet franceze.

Vetëm një numër i reduktuar personash është lejuar për t’i qëndruar pranë dhe për të kaluar kohë me kampionin e famshëm të këtij sporti. Njëri prej tyre është pikërisht edhe ish-drejtuesi i Ferrarit Jean Todt, që drejton FIA-n prej pothuajse një dekade. Më herët 73-vjeçari ka folur vazhdimisht edhe në lidhje me faktin se si ka ndryshuar ndër vite marrëdhënia e tij me ish-pilotin gjerman, për shkak të gjendjes së tij të rënduar.

Todt ka qenë ndër të paktët persona që kanë shprehur kohë pas kohe nota optimizmi në lidhje me gjendjen e “Schumi”-t, pasi gjithë të tjerët, përfshirë edhe njerëzit më të afërt të familjes janë munduar me fanatizëm të respektojnë privatësinë e ish-pilotit të famshëm të skuadrave Jordan, Benetton, Ferrari dhe Mercedes, megjithatë pikërisht 73-vjecari francez së fundmi ka shtuar edhe detaje të tjera domethënëse, që krijojnë një ide më të qartë në lidhje me situatën aktuale. Jean Todt rrëfeu për Radio Monte-Carlon se ndoqi garën e Hockenheim-it në shoqërinë e Michael Schumacher-it.

Jam munduar që të jem gjithmonë tepër i kujdesshëm në deklarata të tilla, por është e vërtetë vijoi Todt. Veterani francez qartësoi për më tepër se e ndoqi garën e 11 sezonale në Formula 1 pikërisht në shtëpinë e Schumacher-it në Zvicër. Jean Todt shpjegoi që 50-vjeçari nga Hurth-i është në duar të sigurta dhe ndihet mirë në shtëpinë e tij, duke shtuar se Schumacher nuk dorëzohet por vazhdon të luftojë.

Sipas drejtuesit më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit edhe familja është duke luftuar po me të njëjtat forca, duke saktësuar gjithsesi se për shkak të rrethanave miqësia mes tij dhe “Schumi’-t natyrisht nuk është më njësoj si në kohët e mëparshme, pasi edhe komunikimi ndërmjet tyre nuk më si më parë.

Pas incidentit të rëndë në Alpet Franceze në fundin e vitit 2013 Michael Schumacher u mbajt në gjendje kome nga doktorët, ndërsa gjashtë muaj më vonë vetë mjekët e nxorrën nga kjo gjendje. 50-vjecari vazhdon të riaftësohet në shtëpinë e tij, megjithëse informacionet e detajuara mungojnë, sidoqoftë familja e tij është duke mbështetur një dokumentar në lidhje me jetën e pilotit legjendar, që pritet të dalë në fundin e këtij viti.

TAGS