Ouen Xhons
Mes zemërimit për tiradën fanatike të Uileit, të mos harrojmë gazetat të cilat kanë shitur paragjykime për vite me radhë
Tuiteri është shumë gjëra njëkohësisht: ai është një mjet për të ngritur zërat përndryshe të injoruar, platformë për lehtësimin e debatit, portal me qasje të në një morie informacionesh mahnitëse dhe një fole e urrejtjes.
Këtë fundjavë, artisti grime Uilei, me gjysmë milioni nga ndjekësit e tij lëshoi një tiradë antisemitizmi të pandërprerë në faqe për dy ditë me radhë, duke i bërë disa të vëzhgojnë një bojkot 48-orësh të platformës së mediave sociale për të protestuar ngadalësinë e reagimit të Tuiterit. Por nuk ka pasur rezultate të padiskutueshme; disa përdorues kanë vërejtur ueb faqja ka kohë që strehon neonacistët të cilët nuk kanë kërkuar falje siç është supremacisti i bardhë i SHBA-së Riçard Spenser, pra pse të presim që një person i famshëm i zi të bëjë komente antisemitike të tërheqë veprime të tilla? Tuiterit iu deshën vite për të hequr personalitete nxitëse të së djathtës, siç janë Tomi Robinson dhe Kejti Hopkins. Me një varg organizatash hebraike të cilat kërkonin një bojkot dhe krime antisemitike të urrejtjes në një rekord të lartë, unë jam në mesin e atyre të cilët iu përgjigjën thirrjes, duke respektuar pikëpamjet e të tjerëve të cilët besojnë se ky nuk është një mjet efektiv për të sfiduar racizmin.
Për atë se Tuiteri duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme, kjo është e padiskutueshme. Çdo ditë faqja pulson me islamofobi, urrejtje ndaj të zinjve, antisemitizmin, urrejtje ndaj femrave, homofobi, transfobi dhe çdo formë tjetër të fanatizmit, shpesh në shënjestër të drejtpërdrejtë ndaj individëve. Politika e Tuiterit në këtë fushë gradualisht ka evoluar nga një angazhim për fundamentalizmin e fjalës së lirë, siç vëren Aleks Hern redaktori i teknologjisë së Guardian-it, i cili e konsideronte racizmin si një mendim i keq për t’u kundërshtuar, deri në një angazhim për të mbështetur të drejtat e pakicave përballë gjuhës së urrejtjes së paligjshme.
Por është një kompani e teknologjisë e cila është “nën financim thelbësor në kushtet e Luginës së Silikonit” thotë Herni dhe është e ngadaltë për të zhvilluar ide të reja, e lëre më të ndalojë gjuhën e urrejtjes. Kjo nuk do të thotë që Tuiteri nuk duhet të investojë më shumë në moderatorë dhe të ndërmarrë veprime më të shpejta, veçanërisht në një rast si ky, i cili ishte aq skandaloz për shkak të madhësisë së platformës së Uileit, kombinuar me intensitetin dhe kohëzgjatjen e tiradës së tij raciste.
Sidoqoftë, ka diçka thellësisht të pakëndshme për këtë debat. Tuiteri pasqyron urrejtjen e cila është ngulitur në strukturën sociale të vendit, aq sa e inkubon atë. Racizmi dhe format e tjera të fanatizmit mbeten parime organizuese të shoqërisë britanike. Siç e cekë studiuesja Alana Lentin, racizmi nuk është një “problem moral i individëve “të këqij””, siç na inkurajon debati aktual për toksicitetin e Tuiterit të besojmë, por një problem “sistemik” i rrënjosur në kolonializmin evropian, kur nënshtrimi i Afrikës dhe popujt vendës u justifikua duke i trajtuar ata si biologjikisht inferiorë.
Në mënyrë të ngjashme, antisemitizmi përmban teori konspirative shekullore vdekjeprurëse, të kultivuara në kulturën evropiane të cilat i paraqesin hebrenjtë si marionistë të dinak pas padrejtësive “të cilët nga ana tjetër ishin shkaktar për temat antisemitike të krishtera” siç vëren profesori David Feldman.
Sistemet e racizmit dhe fanatizmave tjerë, në vend se racistët individualë dhe fanatizmat, duhet të jenë pikënisja jonë. Njerëzit e zinj diskriminohen nga sistemi i drejtësisë dhe ka më shumë të ngjarë të dënohen me ulje të pagave dhe papunësi; ndërsa sistemi patriarkal i lë gratë të objektizuara dhe të nënshtruara ndaj një urrejtje të vazhdueshme, e njerëzit LGBTQ trajtohen si tradhtarë gjinorë që meritojnë ndëshkime fizike ose verbale. Një platformë në internet e hapur për të gjithë do të projektojë në mënyrë të pashmangshme këto fenomene më të gjera; asnjë politikë e moderimit e Tuiterit, pa marrë parasysh sa e fortë që është, nuk mund të kundërshtojë në mënyrë adekuate fanatizmin i cili është sistemik në shoqëritë tona.
Fatkeqësisht, ligjërimi ynë publik preferon debate teatrale nëse një person ose deklaratë është “raciste” ose “jo raciste” për një vlerësim të duhur me mënyrën se si raca funksionon si një sistem fuqie. Dhe pushteti, nga ana tjetër, është pjesë e asaj që mungon nga një bisedë rreth racizmit në jetën publike që përqendrohet në publikime në Tuiter sesa në institucionet e fuqishme të cilat janë shembull në çdo bashkësi kombëtare. Hopkins, e cila këtë vit u bllokua nga Tuiteri nuk ishte një përbindësh e krijuar nga media sociale. Ajo ishte një gazetare për Sun-in, e cila krahasoi imigrantët me buburreca, duke përfunduar me dënim nga Kombet e Bashkuara. Ajo vazhdoi të binte para, duke u shpërblyer me një shkrim tek “Mail Online” dhe një emision në “LBC”. Ishte media e vjetër e cila e ngriti atë, duke shtuar në numrin e ndjekësve të saj në Tuiter: një cikël reagimesh pozitive të urrejtjes.
Këtë javë, një drejtues tek Tajmsi dha një gjykim fanatik mbi “mediat sociale dhe gjuhën e urrejtjes: Publikoni dhe mallkuar qofshi”. Kjo është gazeta e cila u detyrua të publikonte një korrigjim pas një seri artikujsh mashtrues të cilët filluan me goditje në faqen e parë “Fëmija e krishterë e detyruar në kujdesin birësues mysliman”.
Këtë javë, ndërsa filloi bojkotimi në Tuiter, një gazetar i Tajmsit publikoi një vepër me titull “Le të mos kemi frikë të sfidojmë kulturën e udhëtarëve”. Kur kjo gazetë boton artikuj me tituj të tillë si: “Islamofobia është një trillim për të mbyllur debatin” – shkruar nga Mellani Filips, puna e së cilës u citua me ton aprovues nga terroristi i të së djathtës ekstreme norvegjez Anders Breivik – fanatizmi i tij është dukshëm më i rrezikshëm se ai i @barry48593 nga Slough në Tuiter. Arritja e tij është shumë më e madhe dhe akordon respektim dhe lejueshmëri ndaj racizmit dhe fanatizmit.
Në vitin 2016, Sun-i dhe “Daily Mail” u identifikuan nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës për nxitje të fanatizmit ndaj minoriteteve. Po kështu: i pari shtypi një faqe kryesore duke pretenduar se një në pesë myslimanë britanikë mbështesin ekstremistët sirianë si Shteti Islamik, duke detyruar një korrigjim të vonuar. Një studim i vitit 2019 zbuloi se 59% e lajmeve britanike që shfaqnin myslimanë kishin tema negative, të dielën “Mail-i” duke qenë ofenduesi më i keq.
Urrejtja në internet është një problem urgjent dhe në rritje, por serioziteti i tij nuk zvogëlohet duke vëzhguar se gazetat e fuqishme të së djathtës janë platforma më e shquar e këtij vendi për fanatizëm. A duhet firmat e teknologjisë të bëjnë më shumë? Absolutisht që po. Por mungesa e vazhdueshmërisë së këtij debati rrezikon të duket si hipokrizi.
Kur pyesim se kush ka ndihmuar në nxitjen e dyfishimit të krimeve të urrejtjes në një periudhë pesë vjeçare, shqyrtimi ynë nuk duhet të kufizohet në fanatizëm shpërthyese duke qëndruar varur në kompjuterë, por duhet të përfshijë edhe ata me shumë më tepër fuqi dhe ndikim. Çdo gjë tjetër nuk ka kuptim.
Ouen Xhons është gazetar për “Guardian-in”
The Guardian, 29.07.2020
Përktheu dhe përshtati: Tasim Ameti
Antiteza.org/02.08.2020