Tre kërkesat e Mickoskit për një JO për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Tre kërkesat e Mickoskit për një JO për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Hamdi Nuhiju

Referendumi i 30 shtatorit të vitit 2018 në Maqedoni ka nxjerr në pah shumë dilema si për partinë që po udhëheq me shtetin, ashtu edhe me partinë opozitare, VMRO-DPMNE-në. Censusi dukshëm nuk u arrit, ndërsa në opinion u nxorën alternativat e mundshme për dalje nga një krizë e mundshme institucionale dhe arritje e të gjitha afateve për finalizimin e Marrëveshjes së Prespës.

As Zoran Zaev e as Cipras nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të zbatojnë marrëveshjen me qëllim që Maqedonia të i zhbllokoje proceset euro-integruese dhe përfundimisht të bëhet anëtare e NATO-s. Nëse pritet që të mbahen zgjedhjet parlamentare në Greqi (shtator 2019) dhe marrëveshja të mos finalizohet, atëherë rrezikohet dukshëm edhe sponzorizimi i Bashkësisë ndërkombëtare për  zgjidhjen e këtij kontesti 27 vjeçar si dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Zoran Zaev pas rezultateve të referendumit të 30 shtatorit ka para vetes dy zgjidhje ose alternativa prej të cilave njëra është me rrezik kohor tejet të lartë. Zgjidhja e parë është që në Parlamentin e Maqedonisë të mbledh dy të tretat e votave të deputetëve si dhe të finalizohet marrëveshja nga pala maqedonase dhe pastaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjidhja e dytë, e cila vazhdimisht po përmendet nga të gjitha forcat politike në vend, është që nëse nuk arrihen dy të tretat e votave në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë shumë shpejtë të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, të krijohen dy të tretat dhe të zbatohet finalizimi i Marrëveshjes së Prespës.

Mirëpo shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare bart në vete dy rreziqe të cilat besoj se kryeministri Zoran Zaev i ka parasysh: 1. Rreziku i parë është mos arritja në kohë e shtyrjes së procesit të anëtarësimit të vendit në NATO si dhe 2. Rreziku i dytë është se nga rezultatet e referendumit, askush nuk mund që të garantoje se Zoran Zaev në ato zgjedhje të parakohshme parlamentare do të kishte mundësi që të fitoje besimin e popullatës ku do të kishte një shumicë dy të tretave të votave në Parlament.

Ajo që është me rëndësi të analizohet është edhe pozita e liderit të opozitës, Hristijan Mickoski në tërë këtë histori të referendumit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski bojkotuan referendumin, ndërsa haptas karshi opinionit maqedonas dhe ndërkombëtar thanë se nuk janë kundër që Maqedonia të futet në NATO dhe në BE, por janë kundër formulimit manipulativ të pyetjes së referendumit e cila në agjendë e ka futur edhe Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit kushtetues.

Edhe pse gjatë referendumit thuajse nuk i dëgjohej zëri, Mickoski një ditë pas referendumit në emisionin “Hapur” në TV Alfa u çlirua për të folur për të gjitha temat të cilat në kampin opozitar thuajse dukeshin tabu.

Mickoski edhe pse në asnjë moment nuk tha se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ai me tri kërkesat e tij drejtuar Zaevit ose qeverisë së tij, opinionit të gjerë ia bëri me dije se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kërkesat e tij janë që : 1. Prokurori publik të zgjidhet nga radhët e opozitës, 2. Të themelohet Komision Anketues për Referendumin dhe 3. Të formohet një qeveri teknike e modelit të Përzhinos e cila do t`i organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Do të ishte e palogjikshme që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev të pranonte shkarkimin e prokurorit publik dhe zgjedhjen e tij nga radhët e opozitës në kohën kur kjo gjë do të nënkuptonte amnistim të shumicës së deputetëve të përbërjes aktuale në Parlament të VMRO-DPMNE-së. Në këtë mënyrë, Zaev do të humbiste kredibilitetin e tij politik karshi votuesve të tij dhe faktorit ndërkombëtar.

Qeveria teknike e modelit të Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është e mundshme të ndodh, por në rrethana tjera kur nuk do të ekzistonte presioni kohë e cila do ta rrezikonte zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Në kohën kur VMRO-DPMNE-ja bojkotoi referendumin dhe nuk ishte prezente në procesin e votimit, ngritja e një Komisioni Anketues për Referendumin do të ishte një kërkesë lehtësisht e hedhur poshtë nga kreu i qeverisë.

Tre kërkesat e Mickoskit indirekt ia bënë me dije opinionit se edhe vet kreu i VMRO-DPMNE-së, është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.