Tribunali Special po prek kokën e UÇK’së

Tribunali Special po prek kokën e UÇK’së

Stuhia pas qetësisë dhe heshtjes së Tribunalit Special ka nisur. Nga Haga është ftuar një nga emrat kryesor të UCK’së, Azem Syla, i cili ka qenë një nga të personazhet e raportit të Dick Martyt. Dhjetëra të tjerë janë ftuar vetëm brenda këtyre ditëve, e Tribunali Special ka intervistuar edhe një zyrtar të shtetit për pengim të Drejtësisë. Nga ana tjetër, OVL e UÇK’së ka njoftuar se fillimi i arrestimeve janë cështje ditësh.

Gazeta Express

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka ftuar për ta intervistuar ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Azem Sylën, duke prekur kokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas një vit dërgimit të ftesave për pjesëtarë të UCK’së, si të dyshuar për krime lufte.

Emri i Azem Sylësn është përmendur që para formimit të Dhomave të Specializuara pasi mbi të dhe drejtues tjerë të UCK’së si Hashim Thaci, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, ishte thurur raporti i senatorit zviceran Dick Marty.

Ftesën e Hagës për Sylën e ka konfirmuar sot gjatë ditës për Gazetën Express avokati i tij Besnik Berisha.

Dhjetë ditët e fundit kanë qenë intensive për nga marrja e ftesave prej të ashtuquajturës Gjykatë Speciale.
Vetëm javën e kaluar tetë ish-udhëheqës dhe ushtarë të UCK’së janë ftuar për intervistim.

Një nga drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK’së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar javën e kaluar në emisionin Frontal të T7’ës se fillimi i arrestimeve është cështje ditësh.

“Në bazë të disa avokatëve me të cilët kemi bashkëpunim, sepse ne kemi bashkëpunim me ta, priten arrestime këtë javë dhe javën tjetër. Por nëse jo gjatë këtyre javëve, gjatë muajit gjithsesi”, kishte thënë Haradinaj.

Tribunali i Hagës nuk po fton vetëm të dyshuar. Krahas tyre, pjesëtarë të UÇK’së janë thirrur për të dëshmuar rreth dyshimeve të tyre.

Ish-agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe epror i UCK’së, Naim Miftari ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se do të “mbikëqyret” nga një avokat nga Britania, ndërsa Gjykatën Speciale e cilëson si të padrejtë.

“Të dashur miq, ju njoftoj se javën e ardhshme do të udhëtojë drejtë Holandës. Gjykata Speciale Ndërkombëtare me seli në Hagë, me ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit, për krimet e Luftës në Kosovë. Marrja në pyetje do të zgjatë tre ditë. Do të jem i gatshëm të përgjigjem pa kurfar problemi edhe «si i dyshuar», nëse një gjë të tillë e kërkon gjykata, pasi unë gjatë luftës isha pjesëtarë dhe epror në strukturat e UÇK-së dhe jam shum krenar për kët dhë për at kohë”, ka shkruar Miftari.

Përvec të dyshuarve dhe dëshmitarëver, Tribunali Sepecial ka nisur intervistimin e atyre që po dyshohen për pengimin e drejtësisë.

Driton Lajqi, i angazhuar si Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e të Akzuarve të Tribunalit Special, sipas raportimeve të disa mediave në vend, është intervistuar në Hagë nën dyshimet për pengimin e drejtësisë.

Avokati i Lajcit e ka konfirmuar sot intervistimin e tij, mirëpo ka thënë se ai është pyetur vetëm për funksionimin e zyrës së tij.

Ka prej atyre që edhe po i japin sugjerime Tribunalit Special pikërisht për kokat e UCK’së.

Ish-anëtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, përmes një letre publike drejtuar Gjykatës Speciale, ka kërkuar nga ajo që hetojë vrasjen së veprimtarit Behadin Hallaqi, që sipas tij është arrestuar me urdhrin e Hashim Thaçit, ka raportuar sot  Gazeta Express.

Kelmendi ka shkruar në Facebook se rasti i zhdukjes së Behajdin Allaqit kishte ndodhur me datë 11 qershor 1998.

“Me 11 qershor 1998 Hashim Thaçit, tani president i Republikës së Kosovës, i është dorëzuar mësuesi i filozofisë të Gjimnazit në Prizren, Behajadin Allaqi, të cilin duhet ta ketë arrestuar Policia Ushtarake e UÇK-së me urdhër të Hashim Thaçit inkompetent. Pra, tashmë është “sekret publik” se atë ditë, me duar të prangosura, e ka marrë në dorëzim Hashim Thaçi, “drejtor i drejtorisë politike” të UÇK-së, – në fakt sabotues e komplotist kundër UÇK-së, – dhe nuk dihet ku e si e ka zhdukur. Uroj të ketë gatishmëri ish-Eprori i UÇK-së, Zotëri Selim Krasniqi, për të ju informuar për dorëzimin e prangosur të Behajdin Allaqit marionetës komplotiste Hashim Thaçi, meqë ai veprim ka ndodhur në zonën ku Selimi ka qenë komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së”, shkruhet derisa, përmendet edhe Abedin Rexha.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka cuar ftesat e para në dhjetor të vitit të kaluar. Ndër të parët që janë intervistuar kanë qenë komandantët Rrustem Mustafa – Remi, Sami Lushtaku.

ZPK’ja e ka ftuar edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, në korrik të këtij viti, e pas kësaj ftese ai ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke e cuar vendin në zgjedhje të parakohshme. /Express/