Zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, duke komentuar vendimin e sotshëm të miratuar ngaM.E, pas takimit me mullisët, në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se eksportimi i miellit nuk duhet të lejohet.
“Në kohën e koronavirusit, kur të gjitha shtetet vendosin masa kufizuese të eksportit për të siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe furnizime tjera të nevojshme për funksionimin e qetë të jetës së qytetarëve, pa vuajtur ata efektet e dëmshme si mungesa e ushqimit dhe rritja e çmimeve, qeveria jonë dëshiron ta heqë ndalimin e eksporteve të miellit. Mos harroni, Maqedonia nuk mund të plotësojë nevojat e veta për bukë dhe miell nga prodhimi i saj i grurit, ndërsa tani në rastin e krizës duam të eksportojmë miell”, thekson Tripunovski.
Sipas tij, është normale që tregtarët individualë në luftë për para, duan të shesin jashtë vendit, por është jonormale që shteti këtë ta lejojë. Detyra e Qeverisë është të mbrojë tregun e brendshëm.
“Pse nuk duhet të lejohet eksporti i miellit: 1. Maqedonia është shtet që importon vetë grurë për të përmbushur nevojat e veta. Askush nuk e di se çfarë do të jetë korrja këtë vit, as në vendin tonë, e as në botë. Çdo kokërr gruri është i rëndësishëm. 2. Mund të ketë ndalesë të importit të grurit, i cili nuk do të prodhojë miell për tregun vendor; dhe 3. Eksportet e mëdha do të bëjnë që rezervat e brendshme të zvogëlohen dhe çmimet të rriten”, shkruan zëvendësministri plotësues.