Trump e Obama angazhohen në fushatë para zgjedhjeve për kongresin amerikan

Trump e Obama angazhohen në fushatë para zgjedhjeve për kongresin amerikan

Mbeten vetëm dy ditë para zgjedhjeve për në Kongresin amerikan. Presidenti Donald Trump mori pjesë në dy tubime dje, dhe ka në plan të vazhdojë kështu, deri ditën e zgjedhjeve më 6 nëntor. Por, nga ana e demokratëve, figura si ish-presidenti Barack Obama, ish-nënpresidenti Joe Biden, madje edhe Oprah Winfrey janë angazhuar gjithashtu nëpër tubimet para zgjedhore.

Vetëm 72 orë kanë ngelur deri ditën e zgjedhjeve për në Kongres. Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë folur nëpër tubime… të dy, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të vazhdojmë me zhvillimin e jashtëzakonshëm që kemi parë, apo nëse do t’i lejojmë demokratët radikalë të marrin kontrollin e Kongresit”, tha presidenti Trump, raporton VOA.

“Këtë herë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Pasojat e të qëndruarit pa votuar janë të mëdha”.

Ndërsa të premten, lajmi i uljes së papunësisë shërbeu si adrenalinë për Trumpin.

Raporti i së premtes për punësimin tregonte se 250 mijë vende pune janë shtuar në tetor, dhe se pagat janë rritur më shpejt brenda një dekade.

Ish-presidenti Obama dikur ngurronte të fliste kundër pasardhësit të tij, por duke iu përgjigjur shifrave të punësimit në një tubim në shtetin e Xhorxhias tha:

“Më duhet ta shpjegoj se republikanët tani thonë, shikoni sa mirë është ekonomia. Nga mendoni se erdhi kjo?”

Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë pikëpamje të ndryshme për sa i përket çështjes së imigracionit.

“Ata duan që këto karvanë të mbushur me njerëz që vijnë në mënyrë të jashtëligjshme të vërshojnë në vendin tonë, duke rrezikuar komunitetin tuaj”, tha Trump.

“Ata po ju tregojnë se kërcënimi ekzistencial për Amerikën është një bandë refugjatësh të varfër një mijë milje larg”, u shpreh Obama.