Trump: SHBA do të dërgojnë 1000 trupa shtesë në Poloni

Trump: SHBA do të dërgojnë 1000 trupa shtesë në Poloni

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 1000 trupa të tjera në Poloni.

Ai foli për dërgimin e trupave shtesë gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me presidentin polak Andrzej Duda. Para se dy presidentët të fillonin komentet, një avion F-35 fluturoi mbi Shtëpinë e Bardhë për të theksuar planin e Polonisë për të blerë avionë të këtij lloji.

Presidenti Trump njoftoi ndërkohë një zgjerim të aleancës së sigurisë dhe asaj ekonomike me Poloninë.

Ai tha se qeveria polake do të paguajë për infrastrukturën që mbështet trupat shtesë. Ai gjithashtu përgëzoi Poloninë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.

Presidenti Trump tha se dy vendet kanë rënë dakord të rrisin shitjet e gazit të lëngshëm natyror në Poloni për të demonstruar një bashkëpunim ekonomik në rritje mes dy vendeve.

Zoti Trump tha më parë se nuk do të ketë rritje të trupave amerikane në Evropë, por ato do të qarkullohen nga vende të tjera.

Ai tha gjithashtu se po shqyrtonte sanksione ndaj projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 të Rusisë dhe paralajmëroi Gjermaninë që të mos varej nga Rusia për energji.

Nord Stream 2 ka e ka ndarë Bashkimin Evropian. Vendet e Europës lindore, nordike dhe balltike e shohin gazsjellësin prej 1,225 kilometrash që është në ndërtim e sipër, si rritje e mbështetjes së BE-së për Moskën, ndërsa ato në Evropën veriore, veçanërisht Gjermania, shohin përfitime ekonomike te ky projekt.

Presidenti Trump tha se po shqyrton seriozisht një vizitë kthimi në Poloni këtë vjeshtë.

Ai tha se e ka “shumë seriozisht” mundësinë për të vizituar përsëri Poloninë dhe mendon ta bëjë këtë “diku në shtator”.

Shtatori do të shënojë 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania naziste dhe më pas Bashkimi Sovjetik pushtuan Poloninë.

Presidenti Trump e vizitoi së fundi Poloninë në korrik 2017, kur mbajti një fjalim në të cilin u zotua të përballet me “format e reja të agresionit” që kishin Perëndimin në shënjestër. Gjatë vizitës atij iu bë një pritje entuziaste nga një turmë prej mijëra njerëzish që thërrisnin emrin e tij.