29 Nëntor 2018 / 15:47
Të premten në mbledhjen e trupit për pajtim dhe integrim, kryeministri Zoran Zaev do ta shpalosë draft-ligjin për pajtim. Burime nga trupi koordinues i Kuvendit bëjnë të ditur se çështja e faljes dhe pajtimit do të përfshihet në një ligj të veçantë. Drafti do të përpunohet mes deputetëve të cilët do të jenë pjesë e nëngrupit për pajtim.
Tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja të cilët votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese, kushtëzojnë miratimin e ndryshimeve me miratimin e ligjit për pajtim. “Pajtimi dhe falja duhet të ndodh para miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, thotë për Alsat kryesuesja e trupit për pajtim dhe integrim, Emilija Aleksandrova. Duke vlerësuar se nuk dëshiron të thirret në situata hipotetike, Aleksandrova nuk komenton drejtpërdrejtë nëse kjo bëhet me qëllim që të evitohet arrestimi i mundshëm i deputetëve pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë burime nga trupi për pajtim konfirmojnë se kushtëzimi i deputetëve të përjashtuar nga VMRO-ja ka për qëllim garancinë se nuk do të përfundojnë në burg.
Me një ligj të veçantë të rregullohet edhe procesi i miratimit të ligjeve reformuese ku përfshihen Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji mbi mediat, Ligji mbi Prokurorinë Publike etj. Ndryshimet kushtetuese do të vijojnë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Në mbledhjen konstituive të trupit për pajtim dhe integrim u vendos që trupi të ndahet në nëngrupin për pajtim, nëngrupin për integrim dhe nëngrupin për reforma. Bashkëkryesueset e trupit për pajtim deklaruan se nuk kanë për qëllim të ndikojnë në pavarësinë e gjyqësorit, por thjeshtë t’i referohet zbatimi i ligjit në përpikmëri dhe matja e duhur e dënimeve. Të akuzuar për ndërhyrje në procedurë gjyqësore, Emilja Aleksandrova dhe Frosina Remenski u mbron me faktin që Kuvendi është institucioni i cili sjell ligje për të gjithë.
Aktualisht VMRO-DPMNE-ja nuk merr pjesë në mbledhjet e trupit për pajtim. Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski paralajmëroi se subjekti i tij do të mbështet zgjidhje ligjore për ngjarjet e 27 prillit, në rast se propozimet janë në përputhje me qëndrimet e opozitës dhe nuk synojnë drejtësi selektive.
Adrian Kerimi
Loading…