Twitter mbyll mbi 8 mijë llogari false që promovonin Vuçiqin dhe partinë e tij

Twitter mbyll mbi 8 mijë llogari false që promovonin Vuçiqin dhe partinë e tij

Kompania Twitter njoftoi se ka fshirë 8,558 llogari të lidhura me Partinë Përparimtare të Serbisë (SNS) në pushtet.

Këto llogari, sipas Twitter-it, promovonin partinë në pushtet dhe udhëheqësin e saj.

“Në fund të vitit të kaluar, ne identifikuam grupe llogarish të përfshira në veprimtari të koordinuara joautentike që çuan në fshirjen e 8,558 llogarive të cilat promovonin partinë qeverisëse të Serbisë dhe udhëheqësin e saj”, tha Twitter.

Përmes një njoftimi tjetër, Twitter tha se gjithashtu kishte mbyllur një rrjet llogarish të lidhura me Arabinë Saudite dhe që vepronin edhe në vende tjera: Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto llogari e kanë ekzagjeuar përmbajtjen duke lavdëruar udhëheqjen Saudite, si dhe kanë kritikuar veprimtarinë e Katarit dhe Turqisë në Jemen.

“Janë fshirë gjithsej 5.350 llogari”, tha Twitter.

Pas një hetimi nga një organizatë ndërkombëtare e gazetarëve hetues – Bellingcat – për një operacion informacioni në Indonezi që synoi Lëvizjen e Pavarësisë së Papuas Perëndimore në Indonezinë lindore, Twitter hoqi 795 llogari mashtruese, të cilat nga faqe të dyshimta promovonin përmbajtje pro-qeveritare.

Kompania gjithashtu pohoi se kishte zbuluar se shumë llogari të paautorizuara po hynin në Twitter nga një IP (shifra identifikuese e një kompjuteri të kyçur në internet) në Honduras dhe kryesisht po reklamonin llogarinë e presidentit.

Twitter gjithashtu njoftoi se kishte mbyllur 2.541 llogari në një rrjet me qendër në Egjipt të njohur si El Fagr.