Ulen gjobat për mosrespektimin e ligjit të gjuhëve

Ulen gjobat për mosrespektimin e ligjit të gjuhëve

Propozim-ligji  për  themelimin e Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve planifikohet që nesër të jetë në procedurë qeveritare. Në draftin e siguruar nga Alsat, ajo që vërehet është ulja e gjobave që do t’u shqiptohen institucioneve dhe drejtuesve të tyre për mos respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nga 4000 deri 5000 euro sa është lartësia e këtyre gjobave në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, në ligjin për Inspektoratin, gjoba për personin juridik është nga 1500 deri në 3000 euro.

NENI 24 Propozim ligji për Inspektoratin
“ (1) Personit juridik do t’i shqiptohet gjobë për kundërvajtje nga 1500 deri në 3000 euro në kundërvlerë të denarit, nëse nuk vepron në përputhje me nenin 19 të këtij ligji”
(2)Personit fizik përgjegjës për institucionin , për kundërvajtje do t’i shqiptohet gjobë prej 200 deri 400 euro për shkelje të dispozitës së këtij ligjit”

Burime qeveritare thonë për Alsat se neni ku përmenden gjobat është harmonizuar me Ligjin për Kundërvajtje. Sipas ekspertit juridik Miralem Asani, ulja e gjobave do të sjellë shkelje më të shpeshta të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Nga vet fakti se ulja e gjobave bëhet, do të thotë se këtu kemi një bastardim të normës e cila shtyn në dënim. Ulja e kësaj norme për mua nënkupton se pushteti, respektivisht shteti nuk do që ky ligj të jetë i jetësuar ashtu si i ka hije. Megjithatë kjo do të lejojë që shkelja të bëhet çdo ditë. Një bartës i funksionit mund të dënohet sot, nesër,  meqë dënimet do të jenë shumë të vogla, sa një kundërvatje e thjeshtë- deklaroi Miralem Asani- ekspert juridik.

Në nenin 12 të propozim ligjit për Inspektoratin përcaktohen detyrat e inspektorëve, vendet e punës të së cilëve do të ndahen në bazë të Ligjit për Nëpunës Administrativ. Në rastet kur Inspektori verifikon se ekziston bazë për shqiptimin e masës  administrative  apo ndonjë masë tjetër për të cilën është përgjegjës ndonjë organ tjetër, personit juridik apo fizik të gjobitur i sigurohet hapësirë ligjore për të parashtruar ankesë.

NENI 22 Propozim ligji për Inspektoratin
“Kundër vendimit të Inspektorit nga neni 21 i këtij ligji, mund të apelohet në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të vendimit, deri tek organi kompetent për vendosje  në shkallën e dytë”

Me Inspektoratin udhëheq drejtori i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Mandati i drejtori për zgjedhjen e të cilit hapet konkurs publik është 4 vjeçar me të drejtë të rizgjedhjes. Megjithatë, burime qeveritare thonë për Alsat se propozim ligji për Inspektoratin përsëri mund të ndryshojë dhe një prej arsyeve mund të jetë edhe lartësia e gjobave, por edhe harmonizimi i ligjit me disa ligje të tjera.

Evi Shkopi   

Loading…