Ndryshimet klimatike në Maqedoni si temperaturat e larta, mungesa e të reshurave të borës dhe shiut etj kanë dhe do të kenë ndikim negativ edhe ndaj prodhimtarisë së mjaltit në vend. Pasojat mjedisore të ndryshimeve klimatike, siç janë valët ekstreme të nxehtësisë, ngritja e nivelit të detit, ndryshimet në reshjet që rezultojnë në përmbytje dhe thatësira, uragane intensive dhe cilësia e degraduar e ajrit, ndikojnë drejtpërdrejtë dhe indirekt në bletën sidomos në prurjet e saj apo sigurimin e mjaltit. Kështu mendon Driton Dikena, kryetar i shoqatës “Qyteti i Bletëve” nga Tetova, sipas të cilit, ndryshimet klimatike kanë aktivizuar alarmin e zhdukjes masive të bletëve dhe mungesës së mjaltit.
“Ndryshimet në reshjet po krijojnë ndryshime në disponueshmërinë dhe sasinë e luleve për të lëshuar nektarin, baza e vetme nga ku bletët pas thithjes së tij e shndërrojnë në mjaltë. Nëse shiu, era, thatësira ndikojnë në vegjetacionin e përgjithshëm në natyrë, pa dyshim se këto janë burime të vetme të bletës për prodhimin e mjaltës dhe humbjet janë të shumta”, vlerëson Dikena.
Por, ajo çka shqetëson, sipas Dikenës, është fakti se tek ne shumë pak po flitet për këto ndikime të kushteve klimatike në mirëqenien e bletëve.
“Anjshtani ka thënë se nëse vdes bleta, njerëzimit do ti kishte mbetur edhe katër vite jetë. Nuk e di nëse Anjshtani kishte ndonjë bazë shkencore për këtë, por unë besoj së do të ishte humbje e madhe sikur ne këto situata t’ia lëmë rastësisë. Dëmet më vonë do të jenë të pa rikuperueshme, jo vetëm për bletën, por edhe për vetë njeriun sepse bleta polenizon mbi 200 produkte ushqimore që ne i konsumojmë për çdo ditë dhe pa këto produkte sigurisht se jeta e njerëzimit do të vinte në pikëpyetje”, thekson Dikena. Përderisa shtetet e fuqishme ekonomike nuk kanë mundur ti gjejnë ilaçin këtij fenomeni global, vlerëson Dikena, dhe mbi të gjitha ta parandalojnë atë, nuk besoj se atë do të mund ta bëjnë institucionet tona, por ajo që mund të bëjmë, jo vetëm institucionet por të gjithë ne bashkë, është të ngadalësojmë këtë kataklizmë klimatike me një angazhim më serioz. Shteti duhet të ndalë përdorimin e pesticideve, insekticideve dhe nanocideve të cilat përdoren në bujqësi dhe janë të dëmshme, jo vetëm për bletën por edhe për njeriun, ndërsa duhet të duhet të ndërpritet edhe prerja pa plan e vegjetacionit malor, apo mbi të gjitha të mbillen sa më shumë pyje. Nga ana tjetër, sipas bletarit, Ilço Kostadinovski nga Vinica, thatësira e madhe dhe mungesa e të reshurave të borës në vend në muajit e dimrit mund të ndikojë në uljen e prodhimtarisë së mjaltit edhe pse një parashikim i saktë është vështirë të jepet për shkak se kjo veprimtari bujqësore është mjaft specifike dhe varet nga mjaft faktorë.
“Patjetër se ndryshimet klimatike kanë ndikimin e tyre negativ në bujqësi, si dhe humbjet në prodhimtarinë e mjaltit. Mirëpo rendimentet e mjaltit mjaft do të varen edhe nga të reshurat e shiut në pranverë dhe lulëzimin e bimëve të ndryshme si dhe temperaturat që natën nuk guxojnë të shkojnë nën 10 gradë celsius përgjatë periudhës së prodhimit të mjaltit”, shton më tej Kostadinovski. Ai shton më tej se bletarët mund të parandalojnë humbjet e tyre në prodhimtarinë e mjaltit, nëse nuk rendin vend e pa vend që të krijojnë koshere të reja të bletëve për të fituar më shumë subvencione. Bletarët duhet të bëjnë kujdes që familjet më të dobëta të bletëve ti shpërndajnë nga disa koshere në një koshere të vetme, dhe jo patjetër të formojnë koshere të reja bletësh të dobëta. Sipas tij, çështje më vete që shteti nevojitet ti kushtojë më shumë vëmendje në favor të zbutjes së ndryshimeve klimatike, është kultivimi dhe mbjellja e bimëve të ndryshme mjaltore. Me fjalë të tjera sugjerohet një kujdes më i madh për florën drunore si gështenja, pemët e ndryshme, bliri, gështenja etj.
Nga ana tjetër, profesoresha Hrisula Kiprijanovska nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup, thotë se ndryshimet klimatike ndikojnë në bletari përmes ndryshimeve tek bimët mjaltore dhe përmes ndikimit të faktorëve të ndryshëm ndaj bletëve si organizma të gjalla. “Tek bimët mjaltore shënojmë shkurtimin e fazës së lulëzimit ndryshimin e konsistencës së nektarit, uljen e prodhimtarisë së polenit cilësor, kontaminimin e polenit me pesticide që në fund sjell edhe mungesë të ushqimit serioz për bletët siç është nektari dhe poleni. Njëherësh si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike po ndryshojnë ciklin e tyre edhe sëmundjet e ndryshme të bletëve apo ato bëhen më agresive, më prezentë dhe rezistentë”, shpjegon Kiprijanovska disa nga problemet që shkakton ndryshimet klimatike për prodhimtarinë e mjaltit dhe për bletarinë në përgjithësi. Sipas saj, bletëve iu kanosen edhe shkaktarë të ri të sëmundjeve si rrjedhojë e migrimit të disa shkaktarëve të sëmundjeve nga zonat tropikale në zonat me klimë të matur, andaj iu sugjerohet bletarëve një mbikëqyrje më e madhe e bletëve, dhe paraqitje e çdo ndryshimi eventual tek shërbimet veterinare. Në favor të zbutjes së pasojave të ndryshimeve klimatike nevojitet mbjellja e bimëve autoktone mjaltore që lulëzojnë në periudhat kur si rëndom nuk ka kullosë, sidomos duhet mbjellë bimë aromatike, mjekësore dhe bimë që prodhojnë erëza si oregano, lavanda, menta, kamomile, koriandri etj. (koha.mk)