25 Dhjetor 2018 / 15:16
Universiteti “Nënë Tereza” do të ndryshojë përsëri hapësirat për realizimin procesit akademik, deri në ndërtimin e objektit të ri. Ministria e Mbrojtjes po bën përgatitjet e fundit që t’i lëshojë universitetit dy objekte brenda Kazermës së Ilindenit të cilat UNT-ja do t’I shfrytëzojë përkohësisht për mësim. Me këtë është ndryshuar edhe lokacioni në të cilin do të ndërtohet objekti i ri. Rektori Aziz Pollozhani, gjatë prezantimit të punës së UNT-së për vitin 2018, theksoi se nuk dihet saktë nëse ndryshimi i lokacionit për ndërtimin e objektit të ri do të ketë ose jo imlikime financiare shtesë por se projekti bazë nuk pritet të ndryshojë.
Do të ndryshojnë elementet të cilat lidhen me kushtet e ndërtimit. Ne elemente të tjera të ndryshimit të objektit, sipas asaj që ne e kemi biseduar, nuk parashohim. A do të ketë harxhime më shumë ose më pak do të jetë çështje e bisedimeve ku në konkluzën e qeverisë do të jetë edhe universiteti i kyçur por edhe instanca të tjera të cilat faktikisht do të jenë pjesë e zgjidhjes së kësaj çështje.” – theksoi Aziz Pollozhani, rektor i UNT-së
Pollozhani pranon se akoma vazhdojnë sfidat e UNT-së për organizim të strukturave të brendshme duke pranuar se dekanët akoma janë ushtrues detyre tashmë 3 vite, edhe pse sipas ligjit, mandati i ushtruesit të detyrës dekan nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë muaj. Megjithatë, për këtë ai përgjegjësinë e hedh te Kuvendi i cili akoma nuk ka miratuar statutet e përditësuara të universiteteve që pas ndryshimit të ligjit për arsim të lartë në kohën e ish ministres së Arsimit, Renata Deskoska.
Arsyet unë nuk i di. E di se ka disa pozicione të ndryshme për disa çështje që burojnë nga paqartësitë e ligjit të cilat njëra anë i sheh ndryshe kurse ana tjetër pretendon ndryshe. Nuk janë për mua çështje të pakalueshme. Unë fajin ua lë, në njëfarë mënyre, prioriteteve të tjera që ka parlamenti.” – u shpreh Aziz Pollozhani, rektor i UNT-së
Objekti i ri i UNT-së, në total, pritet të kushtojë rreth 25 milion euro kurse projekti bazë ka kushtuar rreth 57 milion denarë. Nga universiteti presin që deri në shtator të vitit të ardhshëm të përfundojë përshtatja e ambienteve ekzistuese në Kazermën Ilinden dhe të fillohen procedurat për ndërtimin e objektit të ri, që do të marrë rreth 3 deri 4 vite.
Fatlume Dervishi
Loading…